Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës ka shpallur ftesë publike për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore që do të mbahet më 23, 24 dhe 25 tetor 2026 në Preshevë. Kjo veprimtari shkencore synon të trajtojë dhe vlerësojë kontributin e studiuesve të huaj në studimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare.
Tema bosht e konferencës është: “Studiuesit e huaj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare”, duke u fokusuar në analizimin e veprave dhe qasjeve të albanologëve, diplomatëve, misionarëve dhe studiuesve të huaj që, në periudha të ndryshme historike, kanë hulumtuar gjuhën, historinë, kulturën, traditat dhe identitetin shqiptar.
Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor i konferencës është nxjerrja në pah e ndihmesës shkencore dhe kulturore të këtyre studiuesve, por njëkohësisht edhe shqyrtimi kritik i mënyrës se si shqiptarët janë përfaqësuar në diskurse të ndryshme akademike, orientalistike apo politike. Konferenca synon të krijojë një hapësirë reflektimi mbi mekanizmat e prodhimit të dijes, stereotipizimit dhe ndërtimit të identitetit shqiptar në kontekstin ballkanik dhe evropian.
Në kuadër të konferencës do të trajtohen fusha të ndryshme shkencore, si: historia, historiografia, gjuhësia, etnologjia, folkloristika, arkeologjia, antropologjia kulturore, letërsia dhe studimet politike. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ndikimit që këto studime kanë pasur në zhvillimin e albanologjisë si disiplinë shkencore dhe në formësimin e perceptimeve për shqiptarët.
Organizatorët ftojnë studiues nga Lugina e Preshevës, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, si dhe nga diaspora shqiptare, që të dërgojnë abstraktet e punimeve të tyre deri më 30 gusht 2026 në adresat elektronike:
shtkpresheve@yahoo.com
ose xhemaledin47@gmail.com
Kohëzgjatja e prezantimit për secilin pjesëmarrës do të jetë 10 minuta, ndërsa punimet e plota për botim duhet të kenë nga 10 deri në 20 faqe. Programi përfundimtar i Konferencës Shkencore do të publikohet më 4 tetor 2026. Punimet e prezantuara do të përfshihen në një botim të veçantë shkencor, nën përkujdesjen e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës.
Për informata shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë kryetarin e shoqatës, Xhemaledin Salihu, në numrin: +381 63 8771 423.
Organizatorët shprehin shpresën për një bashkëpunim të frytshëm shkencor dhe mirëpresin të gjithë studiuesit që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë ngjarje të rëndësishme akademike dhe kulturore.
Ftesa e plotë:
