SHBA dhe Kina përfundojnë bisedimet ushtarake dy ditore, çfarë u dakordua

Shtetet e Bashkuara dhe Kina u dhanë fund bisedimeve ushtarake dyditore në Uashington, njoftoi Pentagoni.


Ky është angazhimi më i fundit midis dy vendeve që kur ranë dakord për të ringjallur komunikimet mes dy ushtrive.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti kinez Xi Jinping ranë dakord në fund të vitit të kaluar për të rifilluar angazhimin që ishte ndërprerë nga Pekini pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin në gusht të vitit 2022.

Michael Chase, zëvendës ndihmës sekretar i mbrojtjes për Kinën, Tajvanin dhe Mongolinë, u takua me gjeneralmajorin e Kinës, Song Yanchao, zëvendësdrejtor i zyrës së komisionit qendror ushtarak për bashkëpunimin ndërkombëtar ushtarak, njoftoi Pentagoni. Takimi shënon bisedimet e 17-ta Kinë-SHBA për koordinimin e politikës së mbrojtjes.

“Dy palët diskutuan marrëdhëniet SHBA-Kinë në fushën e mbrojtjes. Dr. Chase theksoi rëndësinë e mbajtjes hapur të rrugëve të komunikimit mes dy ushtrive në mënyrë që të parandalohet që konkurrenca të tjetërsohet në konflikt”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjenerali Charles Q. Brown, zhvilloi muajin e kaluar një bisedë virtuale me homologun e tij kinez, Gjeneralin Liu Zhenli.

Zyrtarët e Pentagonit thonë se komunikimi midis dy ushtrive është thelbësor për të parandaluar një kalkulim të gabuar që të tjetërsohet në konflikt.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se edhe pas rivendosjes së disa komunikimeve ushtarake, do të duhet kohë për krijimin e një dialogu funksional mes dy palëve.

Uashingtoni dhe Pekini kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, që nga e ardhmja e Tajvanit të vetëqeverisur në mënyrë demokratike e deri tek pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Marrëdhëniet diplomatike janë ende duke u përmirësuar pasi SHBA-të rrëzuan shkurtin e kaluar një balonë kineze të dyshuar për spiunazh.

Këtë fundjavë, Tajvani do të zhvillojë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare mes tensioneve me Kinën, e cila ka pretendime territoriale ndaj ishullit pavarësisht kundërshtimeve të forta nga qeveria tajvaneze.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

PreshevaPRESS

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

PreshevaPRESS

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif

PreshevaPRESS