SERBIA PËRKOHËSISHT MERR PRONAT PRIVATE NË KUFIRIN MIRATOC – LLOJAN

Serbia ka filluar të vendosë një gardh me tela gjemborë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës.


Ky gardh me tela gjemborë do të duhej të pamundësonte kalimet masive të paligjshme të kufirit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, autoritetet e vetëqeverisjes lokale në Preshevë.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, e cila gjendet në jug të Serbisë dhe 380 kilometra larg nga Beogradi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ngritja e gardhit me tela gjemborë është pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Evropian (BE).

“Mendojmë që gardhi me tela gjemborë është në funksion të sigurimit të kufijve jashtë BE-së për refugjatët, të cilët ndoshta pritet të na frekuentojnë në këtë pjesë të ‘Rrugës Ballkanike’”, theksoi Arifi.

Në vendimin e Drejtorisë republikane të pronave, i cili në qershor është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave të Serbisë, është publikuar lista prej disa dhjetëra njerëzve dhe personave juridikë që posedojnë tokë përgjatë vijës kufitare me Maqedoninë e Veriut, marrjen e përkohshme të së cilave e ka urdhëruar Serbia.

Siç thuhet në këtë dokument, të gjitha këto parcela gjenden në fshatin Miratoc, në Komunën e Preshevës, ndërkaq që Serbia i ka marrë “me qëllim të bllokimit të kufirit shtetëror në masat dhe kufijtë e konfirmuar me Elaboratin për bllokimin e kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Gjithashtu, Radios Evropa e Lirë nuk i është mundësuar qasja për të parë Elaboratin, të cilin e ka hartuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në vendim theksohet që barra e kompensimit për tokën e marrë përkohësisht, bie mbi Republikën e Serbisë dhe se kjo marrje do të zgjasë derisa të mos ketë nevojë për këtë masë, më së gjati tre vjet që nga dita e nxjerrjes së vendimit. /REL

ARTIKUJT E NGJASHËM

Sinani e Pajaziti në takim me përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë të Serbisë

PreshevaPRESS

Përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Bujanoc dhe Preshevë

PreshevaPRESS

Komuna e Bujanocit vendosë partneritet me Haraçinën

PreshevaPRESS