Në Gjilan është hapur Zyra për të Huaj në kuadër të Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, si dhe nga Maqedonia e Veriut që jetojnë në rajonin e Anamoravës, të aplikojnë për leje qëndrimi direkt në Gjilan.
Koordinatori i Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Komunën e Gjilanit, Enver Haziri, deklaroi se hapja e kësaj zyre është një arritje e rëndësishme dhe e shumëpritur.
Ai bëri të ditur se zyra ka filluar punën më 16 mars 2026 dhe tashmë u mundëson qytetarëve të rajonit që të kryejnë procedurat për leje qëndrimi pa pasur nevojë të udhëtojnë në qytete të tjera.
“Kjo zyrë është jashtëzakonisht e mirëpritur nga qytetarët, sepse për tri vite me radhë nuk kemi lënë derë pa trokitur për hapjen e saj”, tha Haziri.
Sipas tij, hapja e kësaj zyre pritet të sjellë lehtësime të konsiderueshme për qytetarët e Luginës së Preshevës, duke kursyer kohë dhe shpenzime gjatë procedurave administrative.
Haziri shprehu falënderim edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.
