Organizimi i zgjedhjeve të brendshme partiake të Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë kishte filluar që nga data 02 nëntor dhe sot ka përfunduar me zgjedhjen e kryesisë së re.
Kuvendit i shtatë zgjedhor është mbajtur me datë 06 dhjetor të këtij viti, gjatë së cilit delegatët e PDSH-së kishin mundësinë të votojnë për dy kandidatët në garë, respektivisht për rizgjedhjen e kryetarit të PDSH-së Ragmi Mustafa në atë pozitë ose për nënryetarin e deriatëhershëm të PDSH-së, Ilir Sadiru.
Nga 155 vota të vlefshme të delegatëve në Kuvend, për Ragmi Mustafën kishin votuar 99 delegatë, derisa për Ilir Sadriun 56 delegatë. Sadriu një ditë pas votimit për kryetarin e ri të PDSH-së, kishte reaguar përmes llogarisë së tij në rrjetin social, në lidhje me procesin zgjedhor duke njoftuar delegatët dhe opinionin për ankesën e tij në Komision zgjedhor të PDSH-së rreth “parregullsitë dhe manipulimet” siç ishte deklaruar vetë Sadriu.
“Lidhur me këto parregullsi dhe manipulime do të parashtrohet ankimim pranë Komisionit zgjedhor të Partisë, në afatin e paraparë kohorë.” shkroi mes tjerash më 07 dhjetor Sadriu në facebook.
Edhe pse nuk pati asnjë reagim publik nga Partia Demokratike Shqiptare ose Komisioni zgjedhor i saj, menjëherë pas dy ditëve, Sadiru pranoi humbjen e garës, konfirmoi pranimin e rezultatit nga Komisioni zgjedhor dhe ftoi delegatët e PDSH-së si dhe të gjitha strukturat e saja për unitet.
“Nga kjo mbështetje, ndjehem fitues moral i këtyre zgjedhjeve, prandaj me përgjegjësi shtesë mbaj bindjen e thellë dhe qëndrimin e njejtë ashtu siç kam deklaruar edhe me rastin e kandidimit tim se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, PDSH duhet të jetë unike, e qëndrueshme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.” shkroi Sadriu më 09 dhjetor në llogarinë e tij në facebook.
Sot, PDSH ka proceduar me zgjedhjet e anëtarëve e Kryesisë së re të saj me ç`rast janë zgjedhur: Ragmi Mustafa, Afërdita Ismaili, Afrim Abdullahu, Agim Sabedini, Albina Azizi, Albiona Ibrahimi Rexhepi, Arbër Shaqiri, Drita Ramizi, Enver Mehmeti, Hamdi Fejzullahu, Labinot Veliu, Merita Behluli, Muhamer Limani, Mustafë Shaqiri, Naim Jashari, Nazim Jusufi , Sefedin Sadiku, Shpat Aliu dhe Tefik Bajrami.