Biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, për herë të parë ka organizuar panairin e librit “Presheva Flet”.
Ky aktivitet dyditor është realizuar gjatë 21 dhe 22 qershor, synon të promovojë leximin, kulturën dhe krijimtarinë shqipe në Luginën e Preshevës.
Panairi u hap zyrtarisht të shtunën në orën 11:00 me ceremoninë përuruese, duke sjellë një agjendë të pasur me tryeza diskutimesh, promovime librash, botime të reja dhe aktivitete për të gjitha grupmoshat. Në ditën e parë, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin promovimet nga shtëpi të njohura botuese si Emathia, Dukagjini, Toena, Onufri dhe Fan Noli. Temat variojnë nga pedagogjia dhe identiteti kulturor, deri te inteligjenca artificiale dhe poezia bashkëkohore.
E diela e 22 qershorit, sjelli një agjendë po aq dinamike me tryeza të rrumbullakëta mbi ruajtjen e identitetit, promovime të veprave të autorëve shqiptarë dhe panele diskutimi me figura të njohura të letrave dhe arsimit. Për përfundim të panairit është paraparë një takim i veçantë kushtuar të rinjve të Lugines.
Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e librit dhe gjuhës shqipe në Preshevë, duke krijuar një platformë të re për autorët, lexuesit dhe botuesit shqiptarë.
Organizator i panairit është Biblioteka “Mehmet Jusufi”, me mbështetjen e shtëpisë botuese Albas dhe institucioneve vendore udhëheqëse e arsimore.