Një krizë e shëndetit mendor është në prag ndërsa miliona njerëz në të gjithë botën janë rrethuar nga vdekja dhe sëmundjet dhe të mbërthyer në izolim, varfëri dhe ankth nga pandemia e Covid-19. Paralajmërimi vjen nga ekspertë të Kombeve të Bashkuara.
“Izolimi, frika, pasiguria, rënia ekonomike, të gjithë këto janë shkaqe që mund të çojnë në çrregullime psikologjike – thotë Devora Kestel, drejtore e Departamentit të Shëndetit Mendor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Duke prezantuar një raport të OKB dhe udhëzime për Covid-19 dhe shëndetin mendor, ajo tha se një rritje e numrit dhe ashpërsisë së sëmundjeve mendore është shumë e mundur dhe se qeveritë duhet ta vendosin temën në qendër të reagimeve të tyre. Raporti identifikon disa rajone dhe fragmente të shoqërive si vulnerabël ndaj semundjeve mendore përfshirë fëmijët dhe të rinjtë e izoluar nga miqtë dhe shkolla, punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për mijëra pacientë të infektuar dhe përballen me vdekjet nga koronavirusi i ri.
Studime të fundit dhe vëzhgime, kanë treguar se pasojat e Covid-19 mbi shëndetin mendor janë të mëdha, në shkallë globale. Psikologët thonë se fëmijët po përjetojnë ankth dhe në disa raste edhe depresion. Dhuna në familje po rritet dhe punonjësit e shëndetësisë po raportojnë një nevojë në rritje për mbështetje psikologjike.
Ndërkohë shumë njerëz të tjerë janë të frikësuar nga infektimi, vdekja apo humbja e pjesëtarëve të familjes. Një numër i madh personash përballen po ashtu edhe me vështirësi ekonomike pasi kanë humbur ose rrezikojnë të humbasin vendet e punës dhe të ardhurat që u garantojnë jetesën. Gjithë kësaj panorame, i shtohet edhe keqinformimi i vazhdueshëm dhe teoritë e pabaza për pandeminë. Dhe pasiguria për faktin se sa do të zgjasë pandemia, po i bën po ashtu njerëzit të ndjehen të frikësuar dhe të pashpresë për të ardhmen.