Pajaziti falënderon Osmanin për angazhimin në mbrojtje të shqiptarëve të Luginës

Kryetari i Bujanocit, Arber Pajaziti, ka shprehur falënderimet e tij të sinqerta për angazhimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në avokimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në arenën ndërkombëtare.


“Shpreh falënderimet e mia të sinqerta për angazhimin e presidentes së Kosovës znj. Vjosa Osmani, për angazhimin e vazhdueshëm dhe të vendosur në avokimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës në arenën ndërkombëtare,” tha Pajaziti.

Ai theksoi se përkushtimi i presidentes për trajtimin serioz dhe me përgjegjësi të çështjes së shqiptarëve të Luginës në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë takimet dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të padrejtësive që ata përballen.

Pajaziti gjithashtu vuri në dukje fjalimin e presidentes Osmani në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke e cilësuar atë si një “akt të guximshëm shtetëror dhe një moment me peshë të veçantë politike.” Sipas tij, ky adresim, i mbështetur nga angazhimi diplomatik paraprak me partnerët amerikanë, ka vendosur çështjen e shqiptarëve të Luginës në vëmendjen e faktorit ndërkombëtar në një nivel më serioz.

“Kjo dëshmon se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë dhe se Lugina ka një zë të fuqishëm e të dinjitetshëm në përfaqësimin më të lartë shtetëror,” tha Pajaziti.

Ai përfundoi me një falënderim për presidenten Osmani dhe bashkëpunëtorët e saj për mbështetjen dhe rolin aktiv në afirmimin e të drejtave dhe aspiratave legjitime të shqiptarëve të Luginës.

ARTIKUJT E NGJASHËM

OKB e shqetësuar për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë / Çfarë thuhet në këtë raport

PreshevaPRESS

Presheva dhe Bujanoci pa energji elektrike të dielën

PreshevaPRESS

Edhe pas më shumë se 24 orë nga grabitja në Tërnoc pa gjurmë të autorëve

PreshevaPRESS