Me ekspozitën e punimeve të nxënësve dhe fotografive të objekteve të trashëgimisë kulturore, është përmbyllur projekti “Nxënia e diturive dhe edukimi i nxënësve të klasës së gjashtë nëpërmjet trashëgimisë kulturore”, i realizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Serbisë.
Projekti, që përfshiu nxënësit e shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, synonte të afronte fëmijët me vlerat kulturore të vendlindjes. Aktivitetet përfshinë vizita në objekte të trashëgimisë kulturore si Ujëndarësja e Çukarkës, Teqja e Preshevës, Varrezat e Krushqëve dhe të tjera, ku nxënësit morën njohuri mbi historinë dhe rëndësinë e tyre.
Pas vizitave u mbajt Punëtoria e Vizatimit, ku fëmijët shprehën përshtypjet e tyre përmes artit. U shpërblyen tre punimet më të mira: Abatrit Muhadini, Zara Nasufi dhe Art Ademi.
Në përmbyllje, më 30 shtator, u hap Ekspozita e Fotografive dhe Punimeve të Nxënësve në nder të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, e hapur nga drejtori i shkollës Bardhyl Bajrami dhe kryetari i Shoqatës Xhemaledin Salihu.
Ky projekt u vlerësua si një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe organizatave kulturore për edukimin e brezave të rinj në frymën e ruajtjes së trashëgimisë.