Përfaqësuesit politikë dhe nga shoqëria civile të komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës nesër përsëri do të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuars të Amerikës.
Nën përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, nesër shënohet hera e tretë që një delegacion nga Lugina e Preshevës do të zhvillojë vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
PreshevaPRESS ka mësuar se delgacioni i përfaqësuesve politik nga Lugina që udhëton sërish për në SHBA, këtë herë iu është bashkuar edhe aktivistja me prejardhje nga Medvegja, Flora Ferati-Sachsenmaier.
Përveç aktivistes Flora Ferati-Sachsenmaier, pjesë e delegacionit nga Lugina e Preshevës janë edhe Shaip Kamberi – deputet popullor, Ragmi Mustafi – kryetar në detyrë i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Nagip Arifi – kryetar i Komunës së Bujanocit, Ragmi Mustafa – kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, dhe Ardita Sinani si këshilltare e Kurtit.
PreshevaPRESS ka mësuar se delgacioni nga Lugina për në SHBA, do të udhëtojë sonte pas mesnatës nga aeroporti i Prishtinës, derisa në SHBA do të qëndrojë për 5 ditë rresht, kohë gjatë së cilës do të zhvillojnë takime me personalitete të ndryshme të Seantit Amerikan.
PreshevaPRESS gjithashtu ka mësuar se temë e diskutimeve gjatë vizitës së delegacionit të Luginës në SHBA, janë problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Serbi, pozita e Luginës së Preshevës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe realizimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi gjatë implementimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë pas nënshkrimit.
Kjo është vizita e tretë që mundësihet nga Qeveria e Kosovës për lidershipin shqiptar të Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e pasuar një vizitë të organizuar në muajin tetor të vitit 2022 dhe atë të majit të vitit 2019.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 131 ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për vizitën e delegacionit të Luginës së Preshevës në Uashington, kërkesë e paraqitur nga ana e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për mbështetje financiare në vlerën prej 39,470.21 dollarë amerikan, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.