Të paktën 11 persona kanë gjetur vdekjen pasi një i armatosur ka hapur zjarr në një ndërtesë komunale në Virginia Beach të Virxhinias, ka thënë shefi i policisë, James Cervera, për gazetarët të premten mbrëma.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, sulmuesi, i cili ishte punonjës i shërbimeve publike, është gjithashtu i vdekur, ka thënë Cervera.
Siç ka thënë tutje ai, sulmuesi i armatosur kishte qëlluar “pa dallim”.
“Kjo është dita më shkatërruese në historinë e Virginia Beach”, ka thënë kryebashkiaku Bobby Dyer. “Njerëzit e përfshirë janë miqtë tanë, bashkëpunëtorët, fqinjët, kolegët”.
Cervera ka shtuar tutje se sulmuesi u përball menjëherë me autoritetet, pasi hapi zjarr, duke shtuar se kishte edhe shkëmbim të shtënash ndërmjet sulmuesit dhe policisë.
Si pasojë, edhe një polic është plagosur.
Të shtënat në masë kanë ndodhur në “Ndërtesën 2” të qendrës komunale, qendër kjo e cila ka të strehuar departamente të shumta.
Deri më tani nuk dihet motivi i një sulmi të tillë, nga i cili, përveç të vdekurve ka edhe disa të plagosur.