Enti Republikan i Statistikave shpalli të premten rezultatet e regjistrimit të popullsisë për kombësinë e banorëve.
Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2022, të publikuara në faqen Entit Statistikor të Serbisë në Republikën e Serbisë jetojnë gjithsej 6.647.003 qytetarë, më së shumti prej të cilve sikurse në regjistrimet e mëparshme, janë serbët, që arrijnë numrin prej 5,360,239 qytetarë.
Sipas rezultateve të publikuara në faqen e Entit Statistikor të Serbisë, në Republikën e Serbisë jetojnë 184442 Hungarez, Boshnjak 153801 dhe 131936 Romë.
Shqiptarët janë pakica e katërt sipas numrit të popullsisë që jetojnë në Republikën e Serbisë, bazuar në rezultatet e publikuara nga Enti Statistikor i Serbisë për regjistrimin e popullsisë të vitit 2022, në të cilin janë deklaruar 61687 shqiptar.
Bazuar në rezultatet e publikuara në faqen e Entit Statistikor të Serbisë, pas pakicës shqiptare me numër të popullsisë janë rradhitur: Sllovakët (41730), Kroatët (39107), Jugosllovenët (27143), Rumunët (23044) etj.
Vetëm 10486 qytetarë të Serbisë janë deklaruar se i përkasin kombsisë ruse, numër ky që është shumfish më i madh se në regjistrimin e vitit 2011, kur në Serbi ishin 3247 rusë. Për dallim nga rusët, në Serbi numri i pakicës ukrainase është më e vogël se në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011, kur ishin 4903, sot ky numër është 3969.
Të padeklaruar janë 136.198 persona, ndërsa si “të panjohur” janë shënuar 322.013 shtetas.
Çfarë treguan rezultatet e regjistrimit të popullsisë?
Kujtojmë se rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë janë publikuar dhjetorin e kaluar. Sipas këtyre të dhënave, numri i banorëve në Serbi është më i ulët për 495.975 krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.
Regjistrimi mblodhi të dhëna për 2,520,854 familje dhe 3,628,175 apartamente. Në numrin e përgjithshëm të amvisërive nuk është shënuar ndonjë ndryshim domethënës (rritje prej 1,33%), ndërsa numri i përgjithshëm i banesave është rritur për 12,26% në krahasim me regjistrimin e vitit 2011. Rritja më e madhe e numrit të banesave është shënuar në rajonin e Beogradit me 18.55%.
Beogradi, Novi Sadi dhe Novi Pazari janë të vetmet qytete ku janë regjistruar më shumë banorë se në regjistrimin e mëparshëm – atij të vitit 2011. Të dhënat paraprake tregojnë se Beogradi ka 1.685.563 banorë, Novi Sadi 367.121 dhe Novi Pazari 107.859.
Rajoni i Beogradit ka 26.123 banorë më shumë se në vitin 2011 dhe është i vetmi rajon në të cilin është shënuar rritje e numrit të banorëve. Numri i banorëve në rajonin e Vojvodinës është më i ulët për 182.453, në rajonin e Serbisë Jugore dhe Lindore tani ka 142.739 banorë më pak në krahasim me regjistrimin e mëparshëm, ndërsa rënia më e madhe e numrit të banorëve është në rajonin e Shumadisë dhe Serbisë Perëndimore – 196,906 më pak se në 2011.
Kujtojmë se regjistrimi i fundit është realizuar nga 1 tetori deri më 31 tetor 2022, por në disa qytete më të mëdha, mbledhja e të dhënave në terren u zgjat deri më 7 nëntor. Gjithashtu, qytetarët që nuk patën mundësi të regjistrohen në teren, u lejoua të regjistrohen përmes telefonit deri më 17 nëntor 2022.
N1: Shqiptarët nga jugu i Serbisë “korrigjuan” rezultatet e regjistrimit
Dallimi në numrin zyrtar të banorëve krahasuar me vitin 2011 do të ishte edhe më i madh nëse regjistrimi i mëparshëm nuk do të bojkotohej nga qytetarët e kombsisë shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilët kësaj radhe iu përgjigjën regjistrimit.
Në regjistrimin e vitit 2011 në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, është shënuar zvogëlim i mbulimit të njësive të regjistrimit për shkak të bojkotit nga shumica e shqiptarëve, siç njoftoi Enti i Statistikave të Republikës. Në atë kohë në Preshevë ishin të regjistruar gjithsej 3.080 banorë, në Bujanoc 18.067 dhe në Medvegjë 7.438.