Shumë të rinj nga Lugina e Preshevës, kanë vendosur që të mos vijojnë studimet e tyre në arsimin e lartë në Kosovë, por në vende të tjera të rajonit.
Kjo për shkak se diplomat e tyre vazhdojnë të mos njihen në shtetin serb, edhe pas shumë marrëveshjeve për njohje të diplomave.
Mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë, ua kanë vështirësuar qasjen për punësim të rinjve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, tha për Radio Kosovën, se të rinjtë atje kanë gjetur zgjidhje të tjera jashtë Luginës së Preshevës, duke emigruar ose duke studiuar në universitete të tjera të rajonit.
“Orientimi i gjimnazistëve që përfundojnë gjimnazin ka filluar të ndryshojë. Ndryshe nga herët e kaluara, ku shumica e të rinjve kanë studiuar në Kosovë, tani po shikojnë alternativa të tjera në Tetovë dhe Tiranë. Kjo është një kosto më e madhe për studentët e luginës, për shkak të distancës, mënyra e jetesës dhe kostoja në Tetovë, kështu është vështirësuar jeta e studentëve por mbetet e vetmja zgjidhje”, tha ai.