Dokument / Moskordimi brenda PVD-së ishte shkaku i dështimit të seancës së KKSH-së të shtunën e kaluar

Sot është mbajtur seanca e III-të e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, seancë e thirrur për të shtunën e kaluar e që dështoi si pasojë e mungesës së shumicës. 


Seanca e III-të e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, me seli në Bujanoc, e ftuar të mbahej për ditën e shtunë (më 23.03.2024) e që dështori të mbahej, është realizar sot.

PreshevaPRESS ka raportuar për dështimin e seancës dhe dyshimet e përfaqësuesve të opozitës në KKSH, të cilët hidhnin dyshime se shkaku i mosmbajtjes së seancës dhe anulimit të saj pa ndonjë arsyetim ishin mospajtimet mes partnerëve të koalicionit qeverisës në KKSH (PVD-PD-LPD-PDSH) rreth mënyrës së shpërndarjes së Fondit të Qeverisë së Kosovës për Luginën.

Në lidhje me këtë nuk është deklaruar askush nga përfaqësuesit e koalicionit qeverisës dhe udhëheqjes së Këshillit Kombëtar Shqiptar publikisht, por PreshevaPRESS ka arritur të informohet nga përfaqësues të kësaj shumice në KKSH, në kushte anonimiteti.

PreshevaPRESS ka mësuar se shkaku i vërtetë i dështimit të seancës së KKSH-së, që duhej të mbahej të shtunën e kaluar, ka qenë moskordinimi i udhëheqjes së PVD-së dhe të deleguarit të saj në KKSH, zëvendëskryetarit të KKSHsë Enkel Rexhepi, në lidhje me menaxhimin e shpërndarjes së mjeteve nga Fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.

Në dokumentin e publikuar të shtunën nga PreshevaPRESS për seancën e III-të të KKSH-së, janë propozuar gjithsej 9 pika te rendit të ditës, derisa në seancën e mbajtur gjat ditës së sotme është miratuar me ndryshime.

Moskordinimi i brendshëm i PVD-së, i pasuar pastaj me mospajtime për seancën e III-të të KKSH-së, ka të bëjë me mënyrën e shpërndarjes së mjeteve nga Fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën, kryesisht në mënyrën e vlerësimeve të aplikimeve.

Rendi i ditës i datës 23.03.2024

Sipas burimeve të PreshevaPRESS brenda shumicës së KKSH-së, PVD ka insistuar që Komisionet e vlerësimit të aplikacioneve për mjetet e pakthyeshme të cilat do të shpërndahen përmes KKSH-së, të mbetet në nivel të 4 fushave në të cilat shpërndahen mjetet, derisa në seancën e kaluar ishin paraparë të themeloheshin për çdo konkurs  nga një komision vlerësues dhe ankimues.  Pra sipas kërkesës së PVD-së, të gjitha mjetet e Fondit të Qeverisë së Kosovës për Luginën, që kap vlerën prej 3 milion eurove, do të shpërndahen nga 4 komisione vlerësuese, që do të funksionojnë në kuadër të 4 fushave në të cilat KKSH ka kompentenca si ajo e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe simboleve.

Rendi i ditës i datës 26.03.2024

Ndyshimet në pikat e rendit të ditës mes dy datave të ndryshme për mbajtjen e seancës së III-të të KKSH-së, dëshmojnë pohimet e burimit të PreshevaPRESS, ku shihet se për seancën e ditës së shtunë ishin propozuar të themeloheshn 2 komisione vlerësuese dhe 2 komisione ankimuese për 2 konkurse të ndryshme (pika 4,5,7 dhe 8 të rendit të ditës) , derisa në pikat e rendit të ditës për seancën e mbajtur sot, kanë ndryshuar dhe është themeluar vetëm Komisioni vlerësues për fushën e arsimit, duke potencuar që do të trajtojë të gjitha thirrjet publike në fushën e arsimit qofshin ato të veçanta apo të përgjithshme, respektivisht pika 5 e rendit të ditës të votuar në seancën e sotme.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Lutfiu: Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështetë bujqit shqiptarë në Luginë

PreshevaPRESS

Kamberin tash e tutje me më shumë minuta në Parlament të Serbisë, krijohet grupi i ri parlamentar

PreshevaPRESS

Vizita surprizë e Lulzim Bashës në Luginë, takon Sinanin dhe Mustafën në Preshevë

PreshevaPRESS