Deputeti Kamberi e ka cilësuar si historik përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në një dëgjim zyrtar të Kongresit Amerikan, duke e parë këtë si një fazë të re në betejën për të drejtat e shqiptarëve në rajon.
Sipas Kamberit, avokimi i vazhdueshëm dhe lobimi në qendrat kryesore ndërkombëtare – nga Brukseli dhe Berlini, deri në New York, Washington e Dallas – po japin rezultate që dikur dukeshin të pamundura.
Pas përfshirjes së çështjes në dokumente të Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, tashmë është arritur një tjetër hap i madh.
Në seancën e Kongresit, çështja e Luginës u trajtua si problem serioz i diskriminimit shtetëror dhe i pasivizimit administrativ, me potencial destabilizues për Ballkanin.
Kryesuesi i Nënkomitetit për Evropë, kongresisti Keith Self, e konsideroi trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet e Beogradit “të patolerueshëm” dhe të rrezikshëm për paqen rajonale, duke depozituar në fund edhe një rezolutë përkatëse.
Kamberi thekson se qëndrimi i Self u mbështet fuqishëm nga anëtarë të tjerë të Nënkomitetit dhe nga tre ekspertë të ftuar: Edward P. Joseph (Johns Hopkins SAIS), Luke Coffey (Hudson Institute) dhe Max Primorac (Heritage Foundation). Kjo është hera e parë që një nënkomitet i Kongresit dhe ekspertë të pavarur marrin një pozicion të qartë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
Deputeti falënderoi Këshillin Kombëtar Shqiptar, Ligën Qytetaro-Amerikane të Joe DioGuardi-t, komunitetin shqiptar të Dallasit dhe Qeverinë e Kosovës për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre.
“Pas ditës së djeshme në Kongres, kapitulli i ri për Luginën sapo ka filluar”, përfundon Kamberi.
