Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë në kurthin e komedianëve rusë “Vovan & Lexus”. Ata kanë publikuar një video ku ai shihet duke bashkëbiseduar me dikë, me bindjen se po flet me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Në video Kurti dëgjohet duke u ankuar se ndaj tij ka pasur luftë hibride të orkestruar kryesisht nga Serbia dhe Rusia – pa i përjashtuar edhe disa “elementë brenda Kosovës”.
Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me “prankun” e komedianëve duke shpjeguar se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit, “në një periudhë kur kryeministri Kurti po merrte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e Zgjedhjeve”.
“Për shkak të kufizimeve kohore nuk ishte gjithmonë e mundur të kryhej verifikimi i plotë i çdo telefonate.” – thuhet në reagim.“Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë.” – shkruan tutje Zyra e Kryeministrit, duke shtuar se gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues – duke ndërhyrë në procesin demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.Qeveria thotë se kryeministri Albin Kurti u vu në shënjestër të një thirrjeje shakaje dhe se ky episod “rikonfirmon qëndrimin parimor dhe konsistent të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe – qoftë në biseda publike apo private”.
Në këtë video që e kanë publikuar në kanalin e tyre, Kurti flet për çështje të ndryshme duke filluar nga lufta hibride, përmend ish-emisarin për Dialog Richard Grenell, ndikimin rus, furnizimin me armatim e Fabrikën e municioneve dhe për situatën e tanishme në Kosovë pas Zgjedhjeve – duke e kritikuar opozitën.
“(Grenell) Tërë këto katër vjet kundër meje. Ai ishte instrument në rrëzimin e Qeverisë time të parë, më 2020, e vetmja Qeveri që u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe, tash në masë të madhe është rreshtuar me opozitën.” – tha ai për Grenellin.
Kurti flet edhe për dezinformatat duke treguar për ndikimin e luftës hibride ruse, por thekson se edhe opozita në Kosovë ka flirtuar me këtë lloj lufte – përfshirë edhe “mediat e oligarkëve”, e në veçanti e njërit që ka një televizion.
Pre e këtyre dy komedianëve kanë rënë edhe figura të tjera të njohura, si: Hillary Clinton, Boris Johnson, Kamala Harris, Prince Harry, Elton Johns, Recep Tayyip Erdoğan. Në vitin 2019, pre e të njohurit si “prank” kishte rënë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Vloggerët të njohur si proKremlinit, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur për thirrjet e tyre mashtruese drejtuar liderëve dhe yjeve globalë, kishin ndezur shqetësimin e Qeverisë për sigurinë kombëtare dhe Inteligjencën në disa vende – sipas raportimeve të mediave botërore./kallxo.com