Kthimi i agjendës për shkëmbime territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, një nga sfidat e kryediplomates së re të BE-së

Politikania estoneze Kaja Kallas do të përballet me disa sfida pasi të marrë postin si shefe e Politikës së Jashtme të BE-së, raporton gazeta online Reporteri.net.


Në një analizë, portali rajonal i specializuar për procesin e integrimeve evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, “European Western Balkans”, ka vlerësuar se një prej sfidave të Kallas do të jetë edhe kthimi i agjendës për shkëmbime territoriale mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, EWB-ja e ka cilësuar si fazë të re teksa Kallas pritet t’i prijë dialogut në nivelin më të lartë diplomatik ashtu siç bëri paraardhësi i saj, Joseph Borrell.

Në samitin e javës së kaluar, liderët e BE-së u pajtuan që Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë, të nominohet për kryediplomate të BE-së, teksa Ursula von der Leyen është nominuar për mandatin e dytë si presidente e Komisionit Evropian, ndërkaq, Antonio Coste si president i Këshillit Evropian.

Johanna Diemel, analiste e pavarur nga Gjermania për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore, ka thënë se dallimi mes Kallas dhe Borrellit është se ajo vjen nga një shtet që e ka njohur Kosovën.

“Dallimi i parë me paraardhësin e saj është se vjen nga një vend që e ka njohur Kosovën dhe së dyti ajo u ka bërë thirrje vendeve mosnjohëse që ta njohin Kosovën. Ajo është zë kritik i Rusisë dhe gjithashtu i shton dimension të ri punës së saj”, ka thënë Diemel.

Ajo vlerëson se agjenda për shkëmbimin e territoreve mund të kthehet në rast se në Shtëpinë e Bardhë kthehet Donald Trump.

“Pastaj nëse kthejmë vëmendjen kah Washingtoni, ku fitorja e Donald Trumpit po bëhet gjithnjë e më e mundshme, Serbia dhe Prishtina gjithashtu e gjejnë veten në një gjeopolitikë të re dhe ambient të ri të sigurisë. Për Kallasin, kjo do të thotë se shkëmbimi i territoreve është kthyer në agjendë”, ka thënë ajo.

Diemel gjithashtu ka thënë se dialogu aktual ka ngecur dhe se duhet qasje e re.

“Së pari do të emërojë Përfaqësuesin Special për Dialog për këtë arsye. Do të jetë interesant se kush do të marrë këtë detyrë”, vlerëson Deimel.

Ndërkaq, Igor Novakoviq, anëtar i Këshillit për Qeverisje Inkluzive, vlerëson se do të jetë e vështirë të parashikohet qasja që do të ketë Kallas për fazën e ardhshme të Dialogut, por sipas tij, ajo “me shumë gjasë”, nuk do ta ketë dialogun në fokus, por situatën me Rusinë.

“BE-ja aktualisht nuk mund të pajtohet për pasardhësin e Miroslav Lajçakut, është e mundur që të ketë ndryshim në fokus, nëse vlerësohet se në termat e sigurisë, marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës mund të përkeqësohet në rajon. Në çdo rast, mendoj se duhet një Përfaqësues i ri Special, sepse ka pjesë teknike të negociatave. Në të njëjtën kohë Kallas do të jetë ndërmjetësuese në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në nivelin e lart politik, ashtu siç ishte Borrelli”, ka thënë Novakoviq.

Novakoviq është i mendimit se nuk do të ketë hapësirë për panik në Serbi kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Kallasit si kryediplomate. “Nuk duhet të pritet se ajo do të jetë veçanërisht e pëlqyeshme për Serbinë në kontekstin e marrëdhënieve të saj me Rusinë”. /Reporteri.

ARTIKUJT E NGJASHËM

DASH: Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në Kosovë dhe rajon

PreshevaPRESS

Politikani gjerman thotë se mund të rikthehet ideja e shkëmbimit të territoreve Kosovë – Serbi

PreshevaPRESS

Kosova me 1.586.659 banorë rezidentë

PreshevaPRESS