Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen për herë të parë të premten në Gjermani, ku të dy janë pjesëmarrës në Konferencën për Siguri në Mynih.
Pjesëmarrja e Kurtit në këtë Konferencë është konfirmuar për Euronews Albania nga kabineti i kryeministrit të Kosovës. Ndërsa presidenti serb ka deklaruar se ky moment është i rëndësishëm për të parë qëndrimin e qeverisë së re në Prishtinë.
“Albin Kurti do të jetë I pranishëm në panelin e përbashkët në Mynih. Më duket se do të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar drejtimin në të cilin mund të fillojnë bisedimet,” ka thënë Vuçiç për “Sputnik”.
Aleksandër Vuçiç po ashtu ka konfirmuar se do të nënshkruajë edhe marrëveshjen për rihapjen e linjës hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti shfuqizoi ligjin e pagave për zyrtarët qeveritarë
Qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti shfuqizoi ditën e djeshme vendimin e ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë.
Në fund të 2017-ës, ish kryeministri Haradinaj me një vendim qeveritar, ia kishte dyfishuar pagën vetes nga 1500 në 2950 euro dhe pothuajse kishte dyfishuar pagat e zëvendëskryeministrave dhe ministrave. Me këtë vendim u ishin rritur edhe pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Instituti i Kosovës për Drejtësi e vlerëson si të drejtë vendimin që me uljen e pagave të kabinetit qeveritar të mos preken pagat e sistemit të drejtësisë, por sipas tyre nuk ka bazë ligjore. Kjo pasi që pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë ekuivalente me pozitat e bartësve më të lartë të shtetit. /Euronews