Kuvendi i Komunës së Preshevës sot ka mbajtur punimet e seancës së tretë.
Seanca e tretë e Kuvendit të Komunës së Preshevës sot ka zhvilluar puninet me pesë pika të rendit të ditës.
Këshilltarët e APN-së në Kuvend kanë pamundësuar diskutimin e kryetares Sinani, por përkundër veprimit të opozitës, koalicioni qeverisës PDSH – PVD – LR – UDSH ka arritur të miratojë tri pikat e rendit të ditës.
Ajo që sot u vë në pah gjatë punimeve të seancës së tretë, është mungesa e dy votave të këshilltarëve nga radhët e partive të koalicionit qeverisës në Preshevë.
PreshevaPRESS mëson se për të fillur punimet e seancës, koalicioni qeverisës është obliguar të pritë gjatë këshilltarin e 20-të për të qenë të sigurt se do të votojnë 20 këshilltarë për pikat e rendit të ditës.
Këshilltari i 20-të, i cili edhe ka shkaktuar vonesa në fillimin e seancës së tretë është Hamdi Fejzullahu nga Partia Demokratike Shqiptare. Arsyet e vonesës së tij nuk dihen, por ai ka qenë sot personi i cili ka vendosur shumicën.
Koalicioni qeverisës në Preshevë është i përbërë nga katër partitë shqiptare PDSH – PVD – LR – UDSH dhe ka gjithsej 22 këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Preshevës.
Gjatë seancës së sotme, pikat e rendit të ditës janë miratuar me nga 20 vota, dy vota më pak nga totali i votave që posedon kjo qeverisje lokale në Kuvend.
PreshevaPRESS ka mësuar se në punimet e seancës së sotshme të Kuvendit kanë munguar dy këshilltarë, një nga radhët e Lëvizjes për Reforma dhe një nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare.
Sipas burimeve të PreshevaPRESSIT brenda këtyre dy partive politike, të cilat dëshirojnë tëmbeten anonime, thonë se mungesa e këshilltarëve nuk ka të bëjë me luftën politike dhe se koalicioni qeverisës është stabil.
Të njëjtit thonë se këshilltari nga Lëvizja për Reforma ka munguar në punimet e seancës së sotshme për shkaqe shëndetësore, derisa këshilltari nga ana e PDSH-së për shkak të udhëtimit jashtë vendit për pushime verore.