Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Komunal, në të cilën është diskutuar dhe miratuar rishikimi i dytë i buxhetit të Komunës për vitin 2025.
Sipas Sinanit, ky rebalans ka për qëllim menaxhimin sa më të drejtë dhe racional të mjeteve publike, duke u fokusuar në përmbushjen e prioriteteve komunale dhe në adresimin e nevojave aktuale të qytetarëve.
“Ky rebalans ka për qëllim menaxhimin sa më të drejtë dhe racional të mjeteve publike, në funksion të përmbushjes së prioriteteve të komunës dhe adresimit të nevojave aktuale të qytetarëve,” ka shkruar ajo në një postim e publikuar në Facebook.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit Komunal kanë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi për bashkësitë lokale, përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore dhe administrimin e pasurive komunale.
Kryetarja Sinani theksoi se qeverisja lokale në Preshevë po vijon me përkushtim dhe transparencë, duke synuar përmirësimin e shërbimeve dhe jetës së qytetarëve.
“Me përkushtim e transparencë, po e çojmë përpara qeverisjen lokale në shërbim të qytetarëve tanë,” ka shtuar ajo.
Mbledhja përfundoi me konkluzione që pritet të reflektohen në plane konkrete për zhvillimin komunal gjatë muajve të ardhshëm.