Kepi i Rodonit, thesar i natyrës dhe historisë shqiptare

Janë ende të paktë turistët që e njohin dhe shkojnë në Kepin e Rodonit, një vend që ndodhet përgjatë bregdetit shqiptar të Adriatikut, vetëm një orë larg kryeqytetit, Tiranës. Aty ndodhet edhe Kështjella e Skënderbeut, objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore.


Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet nga turistët. Vizitorët në këtë vend mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin: “Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Skënderbeut”, në Kepin e Rodonit. Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të monumentit.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Oxford shpallet sërish universiteti më i mirë, institucionet evropiane në rënie

PreshevaPRESS

E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

PreshevaPRESS

Këta janë fituesit e çmimit Nobel në Mjekësi

PreshevaPRESS