Gjithçka që është biseduar mes Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të Luginës

Në ambientet e fakultetit ekonomik në Bujanoc është zhvilluar raundi i dytë i dialogut për planin 7 pikësh  mes përfaqësuesve institucional të Luginës së Preshevës dhe ministrive përkatëse në Beograd.


Ambasadori i OSBE-së në Serbi që mori pjesë në këtë takim,  Jan Braathu falënderoi ministritë dhe partnerët e tjerë për përpjekjet e tyre për të mbështetur dialogun dhe për të përmirësuar më tej integrimin e shqiptarëve etnikë, një shenjë e përkushtimit për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Serbisë.

“Misioni i OSBE-së në Serbi mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur dialogun mbi planin 7 pikësh për të arritur rezultate konkrete dhe për të adresuar çështjet thelbësore për pakicën shqiptare si p.sh përfaqësimi i pakicave në gjyqësor, shëndetësi dhe institucione të tjera publike”, thuhet në njoftimin e OSBE-së të publikuar në Facebook.

Brenda dhjetë ditëve do të formohet një grup i përkohshëm punepër t’u marrë me sugjerimet, vërejtjet dhe kërkesat e KKSH-së në lidhje me punësimin e shqiptarëve. Grupi punues do të përbëhet nga përfaqësues të Trupit Koordinues dhe ministrive (të drejtat e njeriut, drejtësisë, punës, infrastrukturës) të cilët morën pjesë në dialogun e sotëm.

“Grupi i punës do të shohë se çfarë mund të bëjë, si mundet dhe kur mundet, dhe pas tre muajsh do të takohemi përsëri për të parë se sa kemi aplikuar që nga sundimi i ligjit, sa njerëz kemi punësuar dhe nëse ka një dialog” tha ministrja Gordana Çomiq.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KSHK), Ragmi Mustafi, tha se thelbi i dialogut është zbatimi i planit 7 pikash, i cili do të çonte në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Ai ka theksuar se pala shqiptare ka treguar konstruktivitet në përcaktimin e afateve kohore për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, që është një fushë, siç tha ai, në të cilën “numrat janë të frikshëm”.

“Në prokurori nuk ka asnjë shqiptar. Në gjyqësor në nivel bashkie kemi rreth 12 për qind të punësuar nga komuniteti shqiptar dhe në nivel rrethi 2.7 për qind. Sot në krye të institucioneve shëndetësore në Bujanoc dhe Preshevë nuk ka shqiptarë. Kemi vullnetin që të bashkëpunojmë dhe t’i trajtojmë këto tema së bashku” tha Mustafi.

Përveç Mustafit, në anën e delegacionit të Luginës së Preshevës ishin edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani.

Sinani përmes një postimi njoftoi për ecurinë e takimit të sotëm, duke theksuar se Qeveria e Serbisë zotohet për fillimin e punësimit dhe përfshirjes proporcionale të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Ky është rezultati i sotëm i rrethit të dytë të dialogut dypalësh midis Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve politik e institucional shqiptarë të Luginës së Preshevës, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes 7 pikëshe për Luginën, të bllokuar nga Beogradi prej miratimit të saj më 4 korrik 2013.” ka shkruar në facebook Sinani.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Komuna e Bujanocit vendosë partneritet me Haraçinën

PreshevaPRESS

Sinani ka pritur në takim shefin e zyres së Osbe-së në Bujanoc

PreshevaPRESS

Në Preshevë fillon grumbullimin e qenve endacak

PreshevaPRESS