Emisarët special të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, do të zbarkojnë javën e ardhshme në Prishtinë.
Gazeta Metro nga burimet diplomatike ka mësuar se emisarët Special të Macronit dhe Merkel do të vijnë në Prishtinë për takime me liderët e vendit ku do t’i japin mesazhe të qarta në lidhje me situatën e fundit.
Misioni i tyre ne agjendën e takimeve me Qeverinë e Kurtit dhe liderëve të vendit është zhbllokimi i bisedimeve me Serbi si dhe mbështetja për marrëveshje përfundimtare, shkruan Gazeta Metro.
Mesazhi kryesor është heqja e tarifës 100% si dhe shpalosja e qëndrimeve te dy liderëve më me ndikim në BE, Macron dhe Merkel.
Presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, vetëm se po shkon e duke u rritur, ai po këmbëngul të mbajë qëndrimin e tij për reciprocitetit ndaj Serbisë, e kjo nuk po i pëlqen aspak Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Derisa i dërguari i Special i Presidentit Amerikan për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell, nuk mund të ishte më i qartë në zhgënjimin e amerikanëve me idenë e kryeministrit kosovar Kurti, e si asnjëherë më parë në marrëdhënien me Kosovën, SHBA kishte njoftuar për pasoja. Ishte përfolur për ndalimin e ndihmës e investimeve ekonomike dhe madje deri tek tërheqja amerikane nga Kosova, shkruan Gazeta Metro.
BE’ja si gjithnjë është më e vakët dhe më ngadaltë në çdo aspekt me gjithë disa përpjekje samitesh të organizuar më parë dhe tani kjo është përpjekja e tyre më e fundit pas spekulimeve se Komisioni Europian mund të caktonte Miroslav Lajcak si emisar për dialogun, që u prit negativisht në shumë qarqe si ndërkombëtare dhe kosovare.
Ambasadorët e Quintit kishin paralajmëruar në dy raste se taksa ndaj Serbisë duhej hequr pa kushte, tani me angazhimin e drejtpërdrejtë të dy liderëve më të fuqishëm europian përsëri ‘të parët mes të barabartëve’ në bllokun europian, Merkel e Macron duket se nuk do të dërgojnë porosi të përziera rreth çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë