DEPUTETI KAMBERI I KUNDËRPËRGJIGJET PRESIDENTIT VUÇIQ

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë gjatë intervistës në RTS, i acaruar nga bashkimi i shqiptarëve në Bujanoc për të qeverisur me këtë komunë, ka akuzuar ata se derisa dëshirojnë të jenë pjesë e Qeverisë së re të  Serbisë ata po synojnë të largojnë serbet nga Bujanoci.


E menjëhershme ka qenë përgjigja e deputetit Kamberi, njëheri kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, përmes një postimi në faqen e tij në facebook.

Kamberi deklarimet e presidentit Vuçiq i ka cilësuar si kërcnim për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke i keqpërdorur serbet lokal në komunat e Luginës së Preshevës.

“Z.Vuçiq, ilaç për frikë ndaj demokracisë nuk kemi. ​ Ilaç për frikë ndaj dialogut nuk kemi. Por, kemi ilaç ndaj kërcënimeve. E ajo është vullneti dhe angazhimi ynë i pandalshëm për barazi. Për të gjithë qytetarët, pa dallim, edhe të atyre që nuk janë të përshtatshëm politikisht.” ka shkruar mes tjerash Kamberi në facebook.

Në vazhdim po ju sjellim postimin e plotë të deputetit Kamberi:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi qenka përpjekur sërish me kërcënuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke u viktimizuar dhe duke derdhur lotë krokodili për serbët e Bujanocit.

I njëjti Bujanoc dhe të njëjtit serbë për të cilët ai nuk bëri asgjë, që prej kurrë është njeriu më i pushtetshëm në Serbi, edhe pse serbë lokalë ishin pjesë përbërëse e bashkëqeverisjes komunale në Bujanoc. ​

Madje nuk po bën asgjë për komunat dhe serbët lokalë edhe kur janë qeveritarë si pjesë e partisë së tij.
Siç e dëshmon Presheva, ku SNS i tij është sot pjesë përbërëse e qeverisjes (madje përcaktuese e shumicës parlamentare) në komunën me mbi 95% shqiptarë.

Siç e dëshmon Medvegja, ku SNS i tij qeveris e vetme pushtetin lokal pasi i përjashtoi krejtësisht shqiptarët lokalë nga pushteti.

(Keq)përdorimi i serbëve lokalë për interesa të pushtetit në Beograd është metodë e njohur. Rezultati dihet. Vuajtje dhe viktima gjithandej. Edhe të serbëve lokalë, që mendonin se po mbrohen nga i gjithëpushtetshmi në Beograd.
Në rajonin tonë, nuk ka pasur probleme ndërtenike edhe në kohërat e luftërave më të përgjakshme. Kjo vlerë e bashkëjetesës në harmoni midis qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk kanë mundur ta përmbysin edhe “baballarët” ideologjikë të z.Vuçiq. Siç shihet edhe në këtë rast, po mbetet tejet i vështirë çlirimi nga baba politik dhe ideologjik.

Siç edhe po duket tejet e vështirë për ta kuptuar një ditë se të drejtat e njerëzve dhe demokracia nuk janë statistika. Ani se kësaj herë qenkan përmendur 300 ​ shqiptarë të Medvegjës pa e theksuar se pse sot na paskan mbetutur vetëm 300 shqiptarë në Medvegjë. Ku avulluan edhe 3700 tjerë, çka i detyroi ata të ikin nga kjo komunë?

Viktimizimi dhe kërcënimet e Aleksandër Vuçiqit për interesin e pushtetit të tij në Beograd nuk na bëjnë përshtypje. Në vend të tyre, më mirë do të ishte të punojë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Serbisë, meqë po i pëlqen të paraqitet si mbrojtës i tyre.

Nëse z.Vuçiq e sheh Serbinë para së gjithash dhe mbi gjithash si shtet vetëm të atyre që i shërbejnë pushtetit të tij, nuk është vetëm problem i jonë. Është problem i krejt Serbisë.

Ne si shqiptarë, shtetas të Serbisë, ka vite që po e presim ftesën për rinisjen e dialogut të bllokuar. Një dialog ku do të ishin edhe përfaqësuesit e të gjitha përkatësive etnike nga Presheva, Bujanoc dhe Medvegja.

Por, natyrisht se për demokratizimin dhe zhvillimin e Serbisë duhet para së gjithash të angazhohet njeriu më i pushtetshëm në vend. Ky edhe është mandati dhe përgjegjësia e pushtetit. ​ ​

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS