Demokratët kërkojnë dëshminë e Boltonit në hetimet kundër Trumpit

Lideri i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer ka propozuar marrjen e dëshmive nga katër ndihmës dhe ish-ndihmës të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të hetimeve për shkarkim të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.


Schumer i ka kërkuar udhëheqësit të republikanëve, Mitch McConnell, që në këtë proces të marrin pjesë, ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, ushtruesi i detyrës së shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney, ndihmësi i tij, Robert Blair, dhe zyrtari për buxhet, Michael Duffey.

Në një letër nisur republikanit McConnell, ligjvënësi demokrat ka bërë thirrje për proces gjyqësor “të drejtë dhe të sinqertë”, që sipas tij do të mund të fillonte më 7 janar.

Presidenti Trump përballet me akuza për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, në përpjekjet e tij për të shtyrë Ukrainën që të hetojë rivalët e tij politikë, duke përfshirë ish-nën presidentin amerikan, Joe Biden, duke kushtëzuar këtë gjë me ndihmën ushtarake në vlerë të 391 milionë dollarëve për aleatin e Evropës Lindore.

Siç njofton Rel, Dhoma e Përfaqësuesve, që drejtohet nga demokratët, pritet të votojë këtë javë për dy artikujt rreth hetimeve për shkarkim, të cilat më pas do ta bartin procesin në Senat për gjykim, nën udhëheqjen e Shefit për Drejtësi, John Roberts.

Trump pritet të lirohet nga akuzat nga republikanët në Senat, derisa McConnel ka dhënë shenja se procesi gjyqësor do të zhvillohet me shpejtësi.

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

PreshevaPRESS

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

PreshevaPRESS

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif

PreshevaPRESS