Këshilltari i Kuvendit të Komunës së Preshevës nga ana e Alternativës për Ndryshim , Altin Boriçi, ka reaguar pas kryetarit të degës së APN-së në Bujanoc.
Kryetari i degës së APN-së në Bujanoc, Arbër Pajaziti, në një deklaratë për portalin Bujanovčke, ka thënë se APN nuk do ta përkrahë kryetarin e PVD-së, Shaip Kamberi, për të qenë bartës i listës së përbashkët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen në muajin prill.
“Nëse Alternativa për Ndryshim nuk zë vendin e parë në listën e përbashkët të partive shqiptare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nuk do të ketë listë të unifikuar shqiptare”, ka thënë kryetari i degës së kësaj partie në Bujanoc, Arbër Pajaziti për portalin Bujanovčke.
Pas Pajazitit, në të njejtin drejtim ka reaguar edhe këshilltari i APN-së në Kuvendin e Komunës së Preshevës, Altin Boriçi, i cili ka thënë se përkrah listën e përbashkët, duke potencuar se APN është e interesuar të respektojë parimet e marrëveshjes së vitit 2020.
“Alternativa për Ndryshim përkrah listën e përbashkët, Alternativa për Ndryshim nuk shkel asnjë kriter të vendosur nga marrëveshja e vitit 2020 prandaj është shumë e qetë dhe e gatshme për të filluar fushatën për zgjedhjet parlamentare, vetëm ata që kanë frik nga realiteti, e realiteti është nënshkrimi i marrëveshjes në Tiranë duan që mos të jemi të unifikuar.” ka shkruar Boriçi në profilin e tij në rrjetin shoqëror facebook.
Edhe pse nuk ka qenë shumë i qartë në postim Boriçi, përmes potencimit të marrëveshjes së vitit 2020 për listën e përbashkët nënkuptohet se APN po kërkon që këtë herë të udhëheqë me listën e përbashët shqiptare sipas parimit të partisë që ka numrin më të madh të këshilltarëve në tri komunat e Luginës së Preshevës.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare lista e përbashkët shqiptare, Alternativa Demokratike Shqiptare në parlamentin e Serbisë është përfaqësuar me tre deputet, derisa ka udhëhequr grupin e përbashkët parlamentar me partinë e Ugljaninit nga Sanxhakut.