Bashkimi Europian ende pa marrëveshje për ndryshimin e orës

Në Bashkimin Evropian ende nuk ka marrëveshje për t’i dhënë fund ndryshimeve sezonale të orës, megjithëse një propozim për këtë çështje ekziston prej shtatë vitesh.


Ndërsa Parlamenti Evropian ka votuar për t’i dhënë fund praktikës së ndërrimit të orës, shtetet anëtare të BE-së nuk mund të bien dakord nëse duhet të qëndrojnë në orën verore apo atë dimërore në mënyrë të përhershme.

“Ne e bëmë propozimin në vitin 2018 për të ndalur ndryshimet sezonale të orës, por çështja ka ngecur në Këshillin e BE-së. Bazuar në reagimet e Parlamentit Evropian, shteteve anëtare dhe akademikëve, Komisioni Evropian vendosi që është më e udhës t’u lihet vendeve anëtare që të vendosin mes tyre. Ende besojmë se një zgjidhje e koordinuar është e arritshme”, ka thënë Ana Kaisser – zëdhënëse Këshillit Evropian.

Sipas direktivës së Komisionit Evropian të vitit 2018, shtetet anëtare do të kenë ende mundësinë të zgjedhin mes orës standarde verore apo dimërore, por ajo do të mbetej e pandryshuar gjatë gjithë vitit.

Aktualisht, në territorin e BE-së ekzistojnë tri zona standarde kohore, ku shumica e shteteve anëtare – gjithsej 17 prej tyre – bëjnë pjesë në zonën e Evropës Qendrore, njëjtë si vendet e Ballkanit Perëndimor.

Megjithëse për këtë vendim nevojitet shumica e kualifikuar dhe jo unanimiteti, shtetet anëtare ende nuk kanë arritur një ujdi. Kjo çështje rikthehet në vëmendje sa herë vjen momenti i ndërrimit të orës, por deri më tani pa ndonjë veprim konkret./RTK

ARTIKUJT E NGJASHËM

Reshje dhe intervale me diell, ky është parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme

PreshevaPRESS

Rreziqet që vijnë nga konsumi i kafes esëll

PreshevaPRESS

Mot me riga shiu dhe diell në pesë ditët e ardhshme

PreshevaPRESS