Të gjitha bankat në Serbi janë të obliguara, sipas vendimit të Bankës Kombëtare të Serbisë (NBS), t’u mundësojnë qytetarëve që për shkak të rrethanave të vështira, si humbja e vendit të punës, sëmundja apo ulja e të ardhurave, që nuk janë në gjendje të shlyejnë kreditë, të ofrojnë kushte më të lehta për pagesë.
Drejtori i Përgjithshëm i Sektorit për Mbrojtjen e Përdoruesve të Shërbimeve Financiare në NBS, Bojan Terziq, tha për Radio Televizionin e Serbisë se këto lehtësime janë të destinuara vetëm për ata që kanë arsye për pamundësinë e shlyerjes së kësteve të kreditve.
Sipas tij, qytetarët që ndodhen në këtë situatë mund t’i drejtohen vetë bankës me kërkesë për lehtësim, por edhe vetë banka mund të iniciojë procedurën nëse vëren vonesa apo parregullsi në pagesat e kredisë.
Ky vendim, sipas NBS, synon të mbrojë klientët më të cenueshëm financiarisht dhe të parandalojë përkeqësimin e situatave sociale për shkak të pamundësisë së shlyerjes së kredive.