“Vetmi në Perëndim” është shfaqja e re e Teatrit të Qytetit të Preshevës, provat e të cilës kanë filluar

Teatri i Qytetit i Preshevës ka nisur punën për projektin më të ri artistik, shfaqjen teatrale “Vetmi në Perëndim” të autorit britanik Martin McDonagh.


Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë ka njoftuar përmes faqes së saj zyrtare në Facebook se Teatri i Qytetit të Preshevës ka filluar provat e para për shfaqjen më të re teatrale me titull “Vetmi në Perëndim”. Përkthimin nga anglishtja e ka bërë Shkëlzen Berisha, ndërsa regjia është e Afeida Boriçi Mehmetit.

Shfaqja do të paraqitet para publikut përmes lojës së aktorëve të rregullt të teatrit edhe atë Egzona Salihu në rolin e Gërllinit, Artan Ibishi në rolin e Kollmanit, Gani Veseli në rolin e Vallinit, si dhe Valon Nuhiu në rolin e Uellshit.

Drama zhvillohet në një fshat të vogël të Irlandës Perëndimore, ku dy vëllezër përfshihen në një varg konfliktesh pas vdekjes së babait të tyre, duke sjellë në skenë një histori që përzien humorin e zi, dhunën familjare dhe vetminë njerëzore në mënyrën karakteristike të autorit McDonagh.

Kjo shfaqje vjen pas një periudhe të suksesshme për Teatrin e Qytetit të Preshevës, i cili muajve të fundit mori pjesë në disa festivale teatrore rajonale, ndër to në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Dibër, Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës, Festivali i Teatrove në Suharekë dhe shumë tjerë të ngjashëm.

Related posts

Reagon Parashqevi Simakut: Prej 10 muajsh emri im përdoret si tabelë qitjeje

Remi Jakupi sjell këngën për Medvegjën, një homazh për vendlindjen e tij

Ansambli “Vatra” sjell kuzhinën shqiptare në Food-Festival Opfikon