Ushqimi i shëndetshëm në izolim, trendi i ri europian

Dy muajt e fundit i kanë sjellë njerëzimit një gjendje frike të panjohur në kohën moderne, ka bllokuar ekonomitë e gjithë botës me pasoja ende të panjohura, dhe na ka paraqitur një faturë tejet të kripur, ku numri i të prekurve nga COVID-19 po i afrohet 4 milionë e gjysmë personave, ndërkohë që është arritur shifra e 300 mijë viktimave.


Por kjo kohë e pazakontë dhe e trishtë karantine na ka dhuruar edhe diçka që ndoshta bëjmë mirë mos ta harrojmë, edhe kur fjala koronavirus të jetë kujtimi i hidhur i një pranvere të largët.

Flasim për rëndësinë e shëndetit personal, i cili pa ritmet stresuese me të cilët jemi mësuar, është rikthyer në plan të parë në diskutimet sociale dhe mediatike, dhe ç’është  më e rëndësishme, deri diku edhe në vëmendjen individuale.

Në skemën e përgjithshme të shëndetit personal, një kapitull gjithmonë e më i rëndësishëm përfaqësohet nga e ngrëna e shëndetshme.

Orët e tëra të mbyllur në shtëpi kanë shndërruar inxhinierë dhe mësues, mekanikë dhe dentistë, në kuzhinierë ndoshta me limite teknike të theksuara, por me një ambicie vërtetë të admirueshme.

Rrjetet sociale u mbushën me fotografi dhe video tortash, bukësh, sallatash shumëngjyrëshe të përgatitura me bimë të cilave më parë nuk i dihej mirë as emri, kontraste shijesh të guximshme, me fate të ndërsjella.

Por një gjë bashkonte pjesën më të madhe të kuzhinierëve të rinj shtëpiakë, dhe ishte qasja ndaj produkteve të mira, cilësore, të shëndetshme.  Aurelie Labarge, pronarja e një dyqani produktesh organike në rrethinat e Brukselit, këtë ndryshim epokal dhe të shpejtë e dëshmon me fakte. “Të ardhurat tona janë trefishuar në muajin mars dhe prill, dhe kemi të paktën dyfishin e klientëve. Arsyet janë të ndryshme. Kërkojnë të blejnë sa më afër shtëpisë, por edhe të ndihmojnë fermerët e zonës, por padyshim edhe pse kërkonin më shumë ushqim cilësor”.

Ky vullnet i ri nuk ka kapur vetëm belgët, por duket një trend global, që një studim i drejtuar nga hulumtues të universitetit të Antwerp tashmë po analizon, duke përfshirë rreth 11 mijë klientë nga 11 vende të ndryshme, shifër që premton të dyfishohet në numra deri në qershor.

Studimi tregon në linja të thjeshta se konsumimi i perimeve dhe frutave gjatë periudhës kulmore të izolimit social është rritur ndjeshëm, ashtu si porositja online dhe blerja nga dyqane që shesin produkte organike.

Sipas David Errera, themeluesit të kooperativës të fermerëve lokalë Cycle Farm, “njerëzit po kuptojnë që në dyqanet e vogla që sheshin produkte lokale, ato janë më të freskëta  dhe cilësore. Po të filloja të përdorja pesticide për produktet e mia, në këtë moment, në lagjen ku banoj nuk do të më përshëndesnin më”.

Charlotte De Backer, profesoreshë e komunikimit në universitetin e Antverp, e shpjegon më në detaj.

“Dy janë gjetjet më interesante të studimit. Fakti që njerëzit po kalojnë tek blerja e produkteve më të shëndetshme dhe të freskëta, duke respektuar dieta me bazë perimesh dhe frutash. Ata po gatuajnë më shumë në kushte shtëpiake. Por nga ana tjetër, një pjesë përgatit në shtëpi ushqimin që i pëlqen, bukë të shumëllojshme, ëmbëlsira, etj. Kjo është diçka e logjikshme. Nga një anë kemi një krizë shëndetësore, ku dëshiron të jesh i shëndetshëm duke ngrënë ushqim të shëndetshëm. Por nga ana tjetër njerëzit janë të stresuar, dhe kanë nevojë të kenë pranë ushqime që i pëlqejnë atyre”.

Por dilema duket se po anon gjithsesi nga ana e cilësisë, e ndihmuar, aty ku nuk gjenden ferma bio në territor, nga rritja e dukshme e shitjeve online. “Po riorganizohemi të gjithë, jo vetëm po punojmë tre herë më shumë, por edhe produktet e kërkuara janë trefishuar në sasi, duke zënë pothuajse çdo vend në magazinë. Tashmë punojmë me turne, nga mëngjesi deri në darkë vonë. Kemi punësuar personel të ri sepse po punojmë edhe në fundjavë, diçka që nuk ndodhte më parë”, thotë Bernard Muriel, themeluesi i “Efarmz”, një shoqëri që bën shitje online produktesh ushqimore.

Efektet e “revolucionit të gjelbër” janë të dukshme me sy të lirë. “Unë dhe familja ime kemi humbur rreth 4 kile sepse kaluam nga produktet e paketuara dhe të porositura në restorant, në ushqimin që gatuajmë gjithmonë në shtëpi, dhe ndryshon  vërtetë shumë”, thotë e bindur Firene, një shtetase nga Azerbajxhani që banon në Bruksel.

Studimi i universitetit të Antverp mbi preferencat ushqimore të europianëve do të zgjerohet në 25 shtete deri në qershor të këtij viti. Atëherë kur restorantet do të gjallërohen sërish, gjithmonë duke respektuar distancat sociale, por edhe shëndetin e organizmit tonë.

Related posts

Oxford shpallet sërish universiteti më i mirë, institucionet evropiane në rënie

E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

Këta janë fituesit e çmimit Nobel në Mjekësi