Trump: Urrejtja nuk ka vend në SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se “urrejtja nuk ka vend” në Shtetet e Bashkuara, pasi 29 persona janë vrarë në dy sulme me të shtëna me armë zjarri gjatë fundjavës.


Sulmi në një dyqan në El Paso, të Teksasit ka lënë të vdekur 20 persona, derisa nëntë të tjerë kanë vdekur nga të shtënat në Dejton të Ohajos.

Trump ka thënë se “ndoshta duhet të bëhet më shumë” për të ndaluar këto sulme.

Megjithatë kritikët kanë thënë se ai është pjesë e problemit, duke cituar retorikën e tij kundër migrimit dhe kundërshtimeve rreth kontrollit më të rreptë për armët.

I riu 21-vjeçar, që është arrestuar për të shtënat në Teksas besohet se ka postuar online një dokument, duke thënë se sulmi ka qenë përgjigjje ndaj “pushtimit hispanik” të shtetit.

Megjithatë, ende nuk dihen detajet e sulmuesit në Ohajo, i cili ka vrarë motrën e tij dhe tetë persona tjerë.

Duke folur para gazetarëve, Trump ka thënë se të shtënat masive duhet të ndalen.

“Kjo gjë ka ndodhur me vite e vite në shtetin tonë dhe duhet të ndalet”, është shprehur ai.

Ai ka lidhur të dyja sulmet me “probleme mendore” duke thënë se sulmuesit kanë qenë “shumë seriozisht të sëmurë mendërisht”.

Mirëpo hetuesit nuk kanë bërë ndonjë koment për gjendjen mendore të këtyre dy personave.

Prokurorët e Teksasit ka thënë se të shtënat në El Paso po trajtohen si “rast i brendshëm terrorist” dhe se ata janë duke “konsideruar seriozisht” ngritjen e padive penale për urrejtje.

 

Çfarë ka ndodhur në El Paso?

Sulmuesi ka nisur të shtënat me pushkë në dyqanin Walmart ditën e shtunë dhe më pas është dorëzuar pasi është rrethuar nga zyrtarë policorë jashtë objektit.

Ky sulm, që besohet se është i teti në listën e incidenteve më të përgjakshme të këtij lloji në historinë amerikane, ka ndodhur në qytetin ku pjesa më e madhe e popullsisë prej 680,000 personave kanë prejardhje hispanike.

Përveç 20 personave të vdekur, 26 të tjerë janë plagosur në këtë incident.

I dyshuari është identifikuar nga mediat amerikane si Patrick Crusius, banor i zonës së Dallasit.

Ai është akuzuar për vrasje, çka nënkupton se mund të përballet me dënim me vdekje.

Në dokument katër-faqësh që është raportuar të jetë publikuar online vetëm 20 minuta para se të niste sulmi, është shprehur mbështetje për sulmuesin që ka lënë të vdekur 51 persona në Kristçërç të Zelandës së Re në muajin mars.

 

Çfarë ka ndodhur në Dejton?

Connor Betts, 24-vjeçar, ka nisur të shtënat në një zonë të populluar në orët e para të së dielës.

Në disa pamje të kamerave të sigurisë janë parë dhjetëra persona duke ikur nga disa klube të natës.

Disa sekonda më vonë, sulmuesi shihet duke iu drejtuar kësaj hapësire, kur qëllohet nga policia, teksa arrin te dera.

Policia ka thënë se ai ka pasur plumba shtesë për pushkën e tij.

“Nëse ky individ do arrinte të hynte në klubin e natës me atë sasi të plumbave, do të ndodhin plagosje katastrofale dhe vdekje të personave”, ka thënë shefi policor i Dejtonit, Richard Biehl.

Zyrtarët kanë thënë se është shumë herët që të fliten motivet e sulmit.

 

Si kanë qenë reagimet?

Të shtënat kanë rikthyer debatin për kontrollin e armëve si dhe kanë shtuar kritikat për retorikën e presidentit amerikan.

“Ai është një racist i hapur dhe është duke inkurajuar më shumë racizëm në këtë shtet”, ka thënë kandidati demokrat për president me prejardhje nga El Paso, Beto O’Rourke, për CNN.

“Presidenti ynë, jo vetëm që po dështon të përballet me çarmatimin e këtyre terroristëve të brendshën, mirëpo ai është duke forcuar urrejtjen e tyre”, ka thënë kandidati tjetër demokrat për president, Pete Buttigieg.

Senatori demokratik, Bernie Sanders, ka thënë se gjuha e përdorur nga Trumpi, “krijon një klimë që trimëron ekstremistët e dhunshëm”.

Mirëpo ushtruesi i detyrës së shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney, ka kundërshtuar pretendimet e demokratëve, duke thënë se sulmet kanë ndodhur nga individë “ të sëmurë”.

“Nuk ka përftitime në të kthyerit e këtij rasti në çështje politike. Kjo është çështje shoqërore dhe ne duhet ta trajtojmë ashtu”, ka thënë ai për ABC.

Presidenti amerikan, që ka kthyer uljen e shkallës së imigrimit të paligjshëm në një prej çështjeve kyçe të fushatës së tij për president, ka bërë më parë komente fyese për migrantët meksikanë, si dhe ka konsideruar grupet e mëdha të migrantëve të nisur drejt SHBA-së, si “pushtim”.

Në javët e fundit ai është akuzuar për racizëm edhe për shkak të sulmeve që u ka bërë anëtarëve të Kongresit, të cilat u takojnë komunitetit me ngjyrë, apo me etni tjetër.

Më 2017, ai pati thënë se “kurrë nuk do të shkelë të drejtën e njerëzve për të mbajtur armë”. /REL

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif