Tërmeti i fuqishëm prej 6 ballësh shkalla Rihter që tronditi të mërkurën rajonin e Larisës, në qendër të Greqisë, dëmtoi shtëpi, automjete dhe detyroi njerëzit të braktisnin banesat e tyre.
Nga frika e lëkundjeve me mijëra qytetarë grekë e kaluan natën jashtë, ndërsa ushtria ngriti tenda për të gjithë ata që kishin nevojë.
Banorëve të rrezikuar iu ofrua ushqim dhe veshje, por ata kërkojnë siguri se ku dotë banojnë tashmë.
“Shtëpitë janë në një gjendje shumë të keqe dhe ne nuk dimë ku të shkojmë ose çfarë të bëjmë. Në këtë moment, autobusët do të na dërgojnë në një hotel në Trikala për të fjetur një natë.
Për fat të mirë, ushtria erdhi këtu, ata gjithashtu na sollën ujë për të pirë por tani ekspertët duhet të vijnë dhe të shohin shtëpitë për të ditur nëse mund të qëndrojmë përsëri brenda, sepse nëse nuk mundemi, atëherë çfarë do të bëjmë?” thotw njw banor vendas.
Në fshatin Damasi, ku jetojnë rreth 1.500 banorë, shkolla dhe disa shtëpi pësuan dëme të mëdha, pasi çatitë u shembën dhe muret u rrëzuan, disa prej tyre duke rënë mbi automjete të parkuara.
Banorët e fshatit u evakuuan dhe u dërguan në stadiumin lokal të futbollit.
Për fat të mirë nga tërmeti nuk ka pasur viktima, apo lëndime serioze.
Sizmologët grekë deklaruan se lëkundja e fuqishme u pasua nga disa dridhje të tokës dhe sugjeruan që shkollat të qëndrojnë të mbyllura në ditët e ardhshme.