Një natë e jashtëzakonshme që e ngjiti Preshevën në piedestalin e kulturës shqiptare.
Në mbrëmjen e 21 qershorit kur dritat e Preshevës u ndezën më fuqishëm se kurrë, qyteti përjetoi një ndjesi të rrallë, një atmosferë që vetëm arti i madh dhe emocionet e pastra mund ta krijojnë. Spektakli madhështor “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, nuk ishte thjesht një shfaqje, por një përjetim i përbashkët që preku zemrën e çdo pjesëmarrësi dhe e nguliti këtë natë në kujtesën e qytetit.
Shtëpia e Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë u shndërrua në një skenë moderne, ku muzika, drita dhe arti vizual krijuan një harmoni që rrallë shihet në skenat shqiptare. Ishte një transformim i vërtetë i hapësirës publike në një tempull të emocioneve dhe krenarisë kulturore. Në këtë spektakël të madh u vlerësuan me çmimin Nënë Tereza personalitete të biznesit shqiptarë por edhe të politikës të cilët kanë kontribuar për qytetet që ato drejtojnë si, kryetaria e Preshevës Znj. Ardita Sinani apo edhe ajo e Roskovecit Znj. Majlinda Bufi, që falë inisiativës së bashkisë që ajo drejton kisha e Shën Kollit në Kurjan të Roskovecit, sot është një atraksion i jashtëzakonshëm turistik.
Arti bashkon, spektakli mbetet
Ky sukses i jashtëzakonshëm u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë i Komunës së Preshevës me producentin e mirënjohur Sokol Guga. Me një vizion të qartë artistik, profesionalizëm dhe ndjeshmëri të lartë, Guga çoi në Preshevë energjinë e një spektakli kombëtar dhe krijoi një magji që pushtoi publikun.
Një tjetër emër kyç në këtë realizim ishte aktori dhe drejtuesi preshevar z. Gani Veseli. Si një nga organizatorët kryesorë dhe ish-drejtor i Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica”, Veseli luajti një rol vendimtar në këtë projekt. Me pasionin dhe përkushtimin e tij të njohur ndaj kulturës, ai dëshmoi se Presheva jo vetëm që ka kapacitete organizative, por edhe talentin për të realizuar evente me standard të lartë.
Spektakli “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” konsiderohet si një nga eventet më të mëdha kulturore dhe kombëtare në rajon. I dedikuar një figure universale si Nënë Tereza, ky aktivitet këtë vit u zhvillua në zemër të Preshevës, nën kujdesin e veçantë të kryetares së Komunës, znj. Ardita Sinani. Kur një projekt i tillë i besohet Sokol Gugës, pritshmëritë janë të larta dhe suksesi i garantuar, ashtu si edhe ndodhi. Ai di si ta kthejë një ngjarje në një përvojë që mbetet gjatë në kujtesë.
Ky spektakël do të transmetohet në televizionin KLAN Plus HD