Në zemër të qytetit të Preshevës, në çarshinë e qytetit do të takohen artistë nga të gjithë trojet shqiptare me qëllim të fillimit të edicioni i dytë i kolonisë artistike “LuginArt”, një ngjarje kulturore që Luginën e transformon në një hapësirë bashkëpunimi, krijimi dhe ekspozimi për dy ditët e ardhshme.
Gjatë dy ditëve, më 16 dhe 17 maj, artistët pjesëmarrës do të zhvillojnë punëtori artistike, shfaqje teatrore, ekspozita dhe mbrëmje kulturore, me qëllim të fuqizimit të jetës kulturore në Luginën e Preshevës dhe ndërlidhjes së komunitetit lokal me artin bashkëkohor shqiptar.
Këtë vit, LuginArt 2 organizohet në dy qendra të Luginës: dita e parë në Preshevë dhe dita e dytë në Bujanoc. Aktivitetet nisin sot në orën 10:30 me takimin e pjesëmarrësve në çarshi dhe nisjen e tyre drejt lokacionit ku do të zhvillohen përgatitjet për pikturim, ndjekur nga punëtori artistike dhe shfaqja teatrore “Një Dorëzim në Teatër” në mbrëmje. Dita përmbyllet me një mbrëmje sociale për pjesëmarrësit dhe miqtë e artit.
Të premten, më 17 maj, aktivitetet do të zhvendosen në Bujanoc, ku pas mëngjesit dhe përgatitjeve në qendër, do të vazhdohet me punëtori artistike dhe organizimin e ekspozitës përmbyllëse, e cila do të hapet në orën 19:00. Pas ekspozitës, mbrëmja do të përmbyllet me Afterparty muzikor, ku do të performojë artisti Bashkim Kerqeli.
Në këtë edicion marrin pjesë mbi 20 artistë nga Presheva, Bujanoci, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Në mesin e tyre janë emra të njohur si Lindita Dedukaj Gjoka, Fitore Fejzullahu, Verim Zendeli, Arbenita Kërçeli, Enis Abazi, Shqipërim Fejzullahu, Drenushë Dalipi, Olgert Rakipllari, Nexhat Boriçi dhe shumë të tjerë.
Ky aktivitet vjen si vazhdimësi e përpjekjeve për të rikthyer dhe përforcuar rolin e artit në hapësirat publike të Luginës, si dhe për të promovuar dialogun kulturor përmes krijimtarisë vizuale.