Myslimanët në mbarë botën do ta përjetojnë muajin e shenjtë të Ramazanit të mbyllur dhe nën kufizime të ashpra për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19 që ka paralizuar pothuajse gjithë globin.
Ramazani është muaji më i shenjtë për myslimanët, në të cilin ata agjërojnë gjatë orëve të ditës, bashkohen për lutje dhe ndajnë ushqime si komunitet.
Por, me masat për kufizimin e lëvizjes dhe ato për distancë sociale të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shumë nga ritualet dhe traditat e Ramazanit do të kufizohen këtë vit.
“Unë nuk mund të kujtoj të ketë ndodhur diçka si kjo ndonjëherë më parë”, tha Mohd Faizal Musa, një studiues në Institutin e Universitetit Kombëtar të Malajzisë për Al Jazeera.
“Kishim Luftën e Dytë Botërore ose katastrofa natyrore, por nga letërsia e kaluar, tekstet historike dhe arkivat e ndryshme, zbulova se myslimanët gjithmonë mblidheshin gjatë Ramazanit, edhe pse kishte luftë ose katastrofa ata kryenin ritualet e tyre fetare së bashku. Sidoqoftë, këtë herë jemi duke u përballur me një armik tjetër. Mund të jetë i pamëshirshëm dhe i padukshëm”.
Si do të ndryshojë agjërimi?
Gjatë muajit të shenjtë, myslimanët zgjohen herët për të ngrënë një vakt para agimit të quajtur syfyr dhe e prishin agjërimin e tyre pas perëndimit të diellit me një vakt të quajtur iftar.
Prishja e agjërimit zakonisht bëhet në tryezë të përbashkët familjare apo të komunitetit. Është e zakonshme që xhamitë të organizojnë iftarë madhorë,veçanërisht për të varfërit.
Për shkak të pandemisë, e cila është përhapur në 185 vende, shumë shtete këtë vit kanë këshilluar qytetarët që të shmangin tubimet e mëdha dhe të bëjnë syfyr dhe iftar individualisht ose vetëm me familjen e ngushtë në shtëpi.
Në Egjipt, të gjitha aktivitetet e Ramazanit, përfshirë iftaret e grupeve të ndryshme dhe tryezat e bamirësisë, janë të ndaluara.