Shqipëria vazhdon të prijë në Evropë për rritjen e trafikut të udhëtarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.
Kështu tregojnë shifrat e fundit të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, për tremujorin e dytë të këtij viti.
Aty Shqipëria është në krye të listës, me 259.4% më shumë pasagjerë nga ajri se e njëjta periudhë e 2019-tës.
Në renditjen e 47 vendeve të Evropës, Shqipëria lë pas emra të njohur në turizëm, si Greqia, Portugalia, Turqia, Spanja apo Italia.
Në tremujorin e dytë shifrën më të lartë e arriti qershori me mbi 1 milion pasagjerë, raporton Tvklan.al.
Por fluksi në Rinas vijoi edhe gjatë korrikut, kur nga ky aeroport hynë gati 1.2 milionë pasagjerë vetëm në një muaj, me një rritje prej 357 mijë pasagjerësh më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Korriku theu edhe rekordin e pasagjerëve për një ditë, duke regjistruar mbi 40 mijë persona të përpunuar në 24 orë.
Edhe sa i takon shtatëmujorit “Rinasi” numëroi gati 6 milionë udhëtarë me mbi 1.1 milionë më shumë se e njëjta periudhë e 2023-ës.
Shifrat e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve i publikoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili nuk lë pa ironizuar të gjithë ata që janë shprehur mosbesues për rritjen që ka pësuar turizmi në Shqipëri edhe për gjatë këtij viti.
Aeroporti i Tiranës numëroi 7 milionë pasagjerë vitin e kaluar, shifër që pritet të tejkalohet ndjeshëm këtë vit.
Pritshmëritë e qeverisë shqiptare janë që 2024-a të arrijë 14 milionë vizitorë të huaj që kanë vizituar vendin. /albinfo.ch