Komisioni Evropian ka pranuar se është i shqetësuar për ekzistimin e disa procedurave të lehtësuara për dhënien e shtetësisë të huajve nga ana e vendeve të cilat gëzojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Në këtë mënyrë, sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, personat nga vendet e treta fitojnë mundësinë që të shmangin procedurat e Schengenit për t’u pajisur me viza dhe paraqesin edhe rrezik për sigurinë e vendeve të BE-së. Në mënyrë të veçantë Komisioni përmend Serbinë, e cila ka pasur një shemë të tillë.
“Komisioni ka një shqetësim të përgjithshëm për versionet e ndryshme të skemave të dhënies së shtetësisë, siç është procedura e thjeshtëzuar për dhënien e shtetësisë pas një periudhe të shkurtër qëndrimi. Kjo mund të paraqesë rrezik publik dhe të sigurisë për BE-në, pasi Serbia gëzon lëvizje pa viza në BE. Komisioni do t’i monitorojë politikat e tilla të natyralizimit dhe dhënies së shtetësisë nga ana e shteteve që kanë liberalizim vizash në kuadër të mekanizmave për suspendimin e vizave”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Ai, po ashtu, ka theksuar se politika e vizave e vendeve fqinje ka një ndikim të madh në lëvizjen e imigrantëve drejt Bashkimit Evropian.
“Në rastin e Serbisë, përshtatja me regjimin e vizave të BE-së është e rëndësishme për të vazhduar përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash. Serbia ka bërë një hap të rëndësishëm në përshtatjen e regjimit të saj të vizave me atë të BE-së. Komisioni inkurajon Serbinë që t’i vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim për të pasur një përshtatje të plotë”, ka thënë Komisioni Evropian.
Edhe më herët nga qarqet diplomatike në BE janë dëgjuar Kritika ndaj Serbisë për heqjen e vizave për disa shtete të treta. Kryesisht kjo është bërë për shtetet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës apo e kanë tërhequr një njohje të tillë. Disa shtete të BE-së kanë raportuar rritje të shpejtë të numrit të imigrantëve ilegalë dhe azilkërkuesve pikërisht nga këto shtete.
Ndër vendet prej nga vijnë më së shumti migrantët janë përmendur Burundi, Kuba dhe Tunizia.
Shtetas të këtyre vendeve kanë hyrë në Serbi pa viza dhe nga atje kanë kaluar në territorin e BE-së. Serbia është detyruar t’ua kthejë vizat këtyre shteteve sepse ishte kërcënuar se BE-ja do të suspendojë liberalizimin e vizave për Serbinë që është në fuqi që nga viti 2009, raporton REL.