Serbia paralajmëron të mos e respektojë marrëveshjen me Amerikën: Nuk e vendos ambasadën nëse Izraeli e njeh Kosovën

Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Izraelit mund të çojë në acarimin e marrëdhënieve të këtij shteti me Serbinë.


Gazeta më e madhe izraelite “The Jerusalem Post” bazuar në burime të afërme me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq shkruan se një lëvizje e tillë e Izraelit mund të çojë në prishjen e marrëdhënieve me shtetin serb.

“Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem nëse Izraeli e njeh Kosovën si një vend të pavarur”, citohet të ketë thënë ky burim, i cili sipas gazetës ka njohuri rreth marrëveshjeve të nënshkruara në Uashington.

“Për më tepër, kjo lëvizje nga Izraeli do të bëjë që marrëdhënia miqësore mes Izraelit dhe Serbisë të mos jetë më kurrë e njëjta. Kaq e thjeshtë është”, citohet tutje ky burim.

Kjo gazetë po ashtu shkruan se Izraeli nuk e njohu Kosovën për më shumë se një dekadë, nga shqetësimi për dëmtimin e lidhjeve të forta me Serbinë dhe për krijimin e një precedenti për njohjen e një shteti palestinez.

Kujtojmë se të premten, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në marrëveshje po ashtu thuhet se Kosova dhe Izraeli do të vendosin marrëdhënie diplomatike me njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem. /Reporteri.net

Related posts

Shtetasit e Kosovës me pasaporta “koordinacija” nga mesi i tetorit pa viza në Schengen

Zyrtari i NATO-s bisedon me Bislimin për urën në Mitrovicë, Goffus: Vendimet të konsultohen me ndërkombëtarët

ZPS-ja i largon edhe 11 dëshmitarë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve