Rohani s’do të bisedojë me Trumpin pa u hequr sanksionet

Irani nuk do të flasë me Shtetet e Bashkuara nëse ato nuk i heqin të gjitha sanksionet kundër Republikës Islamike, tha presidenti iranian, Hassan Rohani.


Deklarata vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se është i hapur për takim me Rohanin “në rrethana të duhura”.

Në një fjalim të transmetuar të martën në televizionin shtetëror iranian, Rohani tha se Irani është i gatshëm për bisedime, porse “fillimisht, SHBA-ja duhet t’i heqë të gjitha sanksionet e paligjshme dhe të padrejta, të vendosura kundër Iranit”.

Rohani përsëriti se vendi i tij “nuk ka dashur kurrë armë bërthamore” dhe shtoi se Teherani do të vazhdojë të tërhiqet nga angazhimet që i parasheh marrëveshja bërthamore e vitit 2015, nëse interesat e Iranit “nuk janë të garantuara”.

Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur që kur Uashingtoni, vitin e kaluar, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe ka vendosur sanksione të ashpra mbi ekonominë iraniane.

Pesë nënshkrueset e tjera, përfshirë Francën, Britaninë dhe Gjermaninë, mbeten të përkushtuara ndaj marrëveshjes, me të cilën Teherani ka rënë dakord të zvogëlojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, transmeton REL.

Irani, megjithatë, ka filluar të tërhiqet nga disa angazhime që i kërkon marrëveshja.

Trump, duke folur në mbyllje të samitit të Grupit të Shtatë Vendeve më të Industrializuara (G7), të hënën në Francë, tha se do të pajtohej të takohej me Rohanin nëse “rrethanat janë të duhura ose të drejta”.

Ai gjithashtu tha se ka “ndjenjë të mirë” në lidhje me perspektivën e një marrëveshjeje të re bërthamore me Iranin.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif