Përfundon video-konferenca Kosovë-Serbi, dakordësi për temat që do të diskutohen të enjten

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, ka njoftuar përfundimin e takimit të parë pas më shumë se një viti e gjysmë për dialogun Kosovë-Serbi, të mbajtur sot me një video-konferencë.


Lajçak deklaroi se në mbledhjen e sotme të gjitha palët kanë rënë dakord për temat që do të takojnë në mbledhjen e ardhshme, e cila do të mbahet të enjten në Bruksel.

“Sapo përfunduam takimin virtual me presidentin serb, Vuçiç, dhe kryeministrin Hoti. Kam kënaqësinë të them që pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm, dialogu i ndërmjetësuar nga BE për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është rifilluar sërish. Në takimin e sotëm ramë dakord në elementet kryesore të procesit dhe mbi programin për mbledhjen e radhës, e cila do të zhvillohet të enjten në Bruksel. Dua të falënderoj partnerët tanë për angazhimin konstruktiv që shfaqën sot”, tha Lajçak.

Pjesëmarrës nga ana e BE-së kanë qenë Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në këtë takim të parë që nga Prishtina, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nga selia e tij në Serbi.

Vuçiç reagoi me një postim në rrjete sociale pas mbarimit të takimit.

“Dialogu u ndërmjetësuar nga BE-ja po vazhdon pas 20 muajsh. Kemi rënë dakord për temat që do të diskutohen në takimin e të enjtes, në Bruksel”, tha ai.

Më 16 korrik, Kosova do të ulet në dialog me Serbinë, në Bruksel, për herë të parë që pas bllokimit të gjatë, të nisur që pas vendosjes së taksës 100% mbi produktet serbe nga ish-kryeministri Haradinaj, si përgjigje ndaj përpjekjeve të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovë. Pasardhësi i tij, Albin Kurti, vendosi një masë të ngjashme ndaj produkteve që nuk e cilësonin në certifikata doganore “Republika e Kosovës”.

Kryeministri i ri, Avdullah Hoti, ka shprehur dëshirën për dialog dhe i ka hequr masat penguese, veprim që ka pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Presidenti serb do të vijë në këtë takim në një kohë të tensionuar, pasi në Beograd vazhdojnë protestat e dhunshme kundër qeverisjes së tij, të nxitura edhe më shumë pas përpjekjes së qeverisë për të rivendosur masat kufizuese të cilat i kishte lejuar përpara zgjedhjeve e gjatë fushatës. /Euronews

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë