Opozita bjelloruse i bën thirrje BE-së të mos e njoh rezultatin zgjedhor

Drejtuesit e BE-së do të zhvillojnë të mërkurën një samit urgjent për të diskutuar situatën në Bjellorusi, ku protestat masive kanë pasuar zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit.


Vala e zemërimit në Bjellorusi është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që është në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya me 10.12 për qind.

Opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Ministrat e Jashtëm të BE-së janë pajtuar javën e kaluar për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë, të cilët i konsiderojnë përgjegjës për “dhunën, shtypjen dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, më 18 gusht, duke shprehur shqetësimin për parregullsitë zgjedhore dhe goditjen ndaj protestuesve.

Michel konfirmoi përmes një postimi në rrjetin social Twitter se udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë të mërkurën për situatën në Bjellorusi.

“Njerëzit e Bjellorusisë kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të zgjedhin lirshëm udhëheqësin e tyre”, ka thënë Michel.

Liderja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya u bëri thirrje liderëve evropianë të “mbështesin zgjimin” e vendit të saj dhe të respektojnë zgjedhjen e popullit bjellorus.

Tsikhanouskaya e bëri thirrjen përmes një adresimi me video drejtuar Këshillit Evropian.

“Unë ju bëj thirrje që të mos i njihni këto zgjedhje mashtruese. Lukashenko ka humbur të gjithë legjitimitetin në sytë e kombit tonë dhe botës”, tha ajo, raporton Reuters.

Tsikhanouskaya aktualisht gjendet në Lituani pasi është larguar nga Bjellorusia menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale.

Tsikhanouskaya, e cila mblodhi dhjetëra mijëra njerëz në tubimet e saj të fushatës zgjedhore, pretendon se në të vërtetë ka marrë midis 60 dhe 70 përqind të votave.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif