Teksa rastet me coronavirus janë në rritje në Itali, Iran, Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara e gjetkë, shumë shkencëtarë po thonë që është e qartë se bota është në prag të një pandemie, një shpërthim global serioz.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deri më tani i ka rezistuar kërkesës për ta quajtur krizën si të tillë, dukë thënë se fjala pandemi mund të trembë botën edhe më tepër dhe t’i bëjë disa vende ta humbin shpresën se mund ta përballojnë virusin.
Më parë, agjencia e shëndetësisë e Kombeve të Bashkuara e ka përshkruar si pandemi; një situatë në të cilën një virus i ri po shkakton “përhapje në rang komuniteti”, në të paktën dy rajone në botë.
Ekspertët thonë se pragu është tejkaluar
Shumë ekspertë thonë se është tejkaluar pragu: Virusi që për herë të parë u identifikua në Kinë është tashmë duke u përhapur lirisht në katër rajone, ka mbërritur në çdo kontinent përveç Antarktidës dhe përparimi i tij duket i pashmangshëm. Sëmundja duket se ka vënë për fund dhe është përhapur me shpejtësi edhe në vende me sisteme të forta shëndetësie.
Të premten, në mbarë botën u regjistruan 100 mijë persona të infektuar, shumë më tepër nga viruset e mëparshëm si SARS, MERS apo Ebola.
“Mendoj se është shumë e qartë që jemi në mes të një pandemie dhe nuk e di pse OBSH po i reziston kësaj”, thotë Michael Osterholm, drejtori i Qendrës për Studime dhe Hulumtime të Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesotës.
Shpallja e pandemisë mund të sjellë kufizime të tjera
Ekspertët pohojnë se shpallja e pandemisë frikëson politikën sepse dobëson tregjet, ul ndjeshëm udhëtimet dhe rrit kufizimet për tregtinë si dhe stigmatizon personat që vijnë nga rajonet e prekura. Në 2009, OBSH u kritikua që e shpalli gripin e derrit pandemi, por ekspertët thonë se nëse kjo krizë etiketohet si pandemi, disa vende mund të detyrohen që të përgatiten për ardhjen e mundshme të virusit.
COVID-19 ia ka dalë të depërtojë edhe në vendet që morën masa të shpejta për të ndërprerë lidhjet me Kinën. Për punë javësh, zyrtarë në Itali, Iran dhe Korenë e Jugut kaluan nga raportimi i një rasti në qindra.
“Ne ishim vendi i parë që i ndaluam fluturimet me Kinën dhe ishim krejtësisht të habitur nga kjo sëmundje”, tha Massimo Galli, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Milanos. “Është e rrezikshme për gjithë botën që virusi mund të përhapet në këtë mënyrë”.
Me mbi 3 mijë e 800 raste, Italia është epiqendra e përhapjes së virusit në Europë dhe ka mbyllur shkollat, stadiumet dhe i ka bërë thirrje moshës së tretë që të mos dalin jashtë. Por prapë së prapë, ka eksportuar virusin në të paktën 10 vende duke përfshirë Austrinë, Republikën Çeke, Spanjë, Afrika e Jugut dhe Nigeria.