Shkruan: Korab Blakaj për KultPlus
Big Brother nuk është më një emision. Është një pasqyrë groteske e asaj që po bëhemi, një shoqëri që i kthehet vetes jo për ta njohur, por për ta mohuar. Një komb që më shumë interesohet për grindjet e pavlera në një shtëpi plastike sesa për fatin e tij historik. Një brez që ndjek dramën e inskenuar, ndërsa e lë pas dore dramën reale të shpirtit të tij në shuarje. Kjo nuk është më argëtim, është një autopsi morale e një shoqërie që po qelbet e gjallë.
Nëse dikur panem-et romake mbanin turmat të qeta, sot spektakli mediatik bën më shumë: e bën turmën të verbër. Në vend të vetëdijes, kemi vojerizëm; në vend të pjesëmarrjes, pasivitet; në vend të lirisë, një ekran ku e zgjedhim robërinë me sms.
Big Brother është laborator i shpërqendrimit të madh, ku njeriu mësohet të dojë çka është banale, të urrejë çka është fisnike, dhe të adhurojë çka është bosh.
Të ashtuquajturit “banorë” nuk janë as personazhe, as përfaqësues. Janë karikatura të shpirtit njerëzor, të përzgjedhur jo për karakterin, por për konfliktin. Ata nuk debatojnë, por ulërijnë; nuk përfaqësojnë mendime, por impulse. Nuk ndërtojnë urë, por gropa – në emër të ‘kontentit’.
Brenda mureve të asaj shtëpie të mbikëqyrur, ndodh degjenerimi ritual i çdo vlere: seksualiteti shndërrohet në mall, shprehja në ulërimë, identiteti në maskë. Të rinj që duhet të ishin ndërmarrës të së ardhmes, shndërrohen në gladiatorë të zbrazëtisë.
Në vend të bashkimit të shqiptarëve përtej dallimeve, Big Brother i kthen ata në spektakël ndarjeje. Feja nuk është më lidhje shpirtërore, por flamur i urrejtjes. Kombësia nuk është më identitet, por instrument ndarjeje për ‘trende’.
Ndër shqiptarë shfaqen urrejtje fetare, raciste, krahinore ; të gjitha të stimuluara qëllimisht. Jo për të shëruar plagët e së kaluarës, por për t’i bërë më të infektuara, për klikime.
Ky është projekti i inxhinierisë së njeriut të pavetëdijshëm, një njeri që e urren vëllanë e vet, por adhuron opinionistët që e manipulojnë.
Shoqëria e Big Brother është shoqëria e njeriut të rrudhur në formën më të ulët të ekzistencës ,një trup që kërkon kënaqësi, një mendje që nuk pyet, dhe një shpirt që nuk beson në asgjë më të madhe se vetja.
Tani, kur historia po na thërret për ndërgjegje kombëtare, ne u përgjigjemi me votime për banorë.
Kur rinia ka nevojë për shembuj idealistë, ne u japim idole të zbrazët që thyejnë rekorde në kotësi.
Ky është teatri absurd i një kombi në krizë shpirtërore, ku identiteti nuk mëtohet përmes thellësisë, por përmes simbolikës së shtrembëruar dhe konflikteve artificiale, të dizajnuara për të përçarë, jo për të bashkuar. Ky nuk është vetëm degjenerim kulturor, është një Operacion i Pastër Psikologjik, që synon shthurjen e çdo elementi që mund ta bashkojë kombin shqiptar!
Njeri i gjuan tjetrit kryqin në ujë, e shndërron të shenjtën e tjetrit në performancë primitive.
Çfarë është dashur të jetë një akt përulësie dhe respekti ndaj besimit, është degraduar në një gjest barbar, spektakolar, që frymëzon urrejtje e jo spiritualitet. Ky akt nuk është më fe, por është shfaqje tribaliste e instinktit dhe injorancës, që ofendon jo vetëm fenë tjetër, por vetë esencën e besimit që përfaqëson. Muhamedi as porositi; „mos ua shani zotat të tjerëve „
Tjetri e shpall ‘Allahu Ekber’ si thirrje terrori , duke helmuar fjalën e Zotit.
Në një shoqëri të shëndoshë, kjo do ishte një frazë madhështie dhe përulësie.Paqe dhe sigurie.Por sot, ajo demonizohet publikisht, në një proces ku media e paditur dhe ideologjia e frikës ndërtojnë armikun nga vetë qytetari i besimit mysliman. Ky është akti i shëmtuar i një kulture që nuk kërkon të kuptojë, por vetëm të etiketojë, të ndajë, të urrejë.
-Njëri i bie me shpulle tjetrit ,sepse shprehja ka vdekur, dhuna është bërë komunikim.
Ky është momenti kur gjuhët shterojnë dhe grushti bëhet fjali. Kur njeriu nuk di të shprehë mendim, por vetëm të reagojë me agresion në sytë e të gjithëve, live, për duartrokitje. Kjo është simptomë e një edukimi të shkatërruar, ku etika është zëvendësuar nga egërsia.
Fituesi,i koduar si Gjesti ( në Kosovë kur i themi dikuj mos bëj gjeste, i bëjmë thirrje të mos imitojë majmunin) ngre flamurin e Kosovës në Tiranë si akt triumfi , por në të vërtetë është akt ndarjeje.
Në një vend ku shqiptaria duhet të jetë bashkuese, flamujt kthehen në vegla politike për ndarje emocionale. Flamuri nuk ngrihet për ta nderuar kombin, por për t’i imponuar njëri-tjetrit pjesë të identitetit si hakmarrje. Në vend të një simboli të bashkimit, flamuri përdoret si grackë psikologjike për ndarje dhe irritim.
Ngritja e flamurit si shenjë triumfi kundër tjetrit shqiptar, është një akt që i përket zoologjisë së spektaklit, jo filozofisë së bashkimit.
Ky nuk është patriotizëm por një tribalizëm emocional në paketim televiziv.
Një gjest që nuk ngrihet nga vetëdija, por nga instinkti.Nuk del nga thellësia e ndjenjës kombëtare, por nga logjika primitive e dominimit dhe territorit – një sjellje që më shumë i përngjan një majmuni që hedh gurë nga lart, sesa një shqiptari që nderon gjakun e gjyshërve të vet.
Gjesti nuk është më qytetar, por aktor në një cirk propagandistik, që nuk e kupton se po i bën dëm jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës.
Ai nuk ngre flamur.
Ai tund një copë pëlhurë me energjinë e një majmuni të stërvitur në laborator të ndarjes psikologjike.
Andaj mos u përçani për shkak të Gjestit të tij prej Majmuni.
Në vend që të formojmë qytetarë me identitet të thellë, po krijojmë kukulla që reagojnë sipas skenarit të përçarjes. Në vend të shqiptarëve që ndërtojnë ShTET KOMBËTAR , po shfaqen figurina të tensionit, të ndarjes fetare, krahinore dhe kulturore.
Asgjë nga këto nuk janë rastësi – janë rezultate të një shkatërrimi të qëllimshëm të narrativës kombëtare dhe shpirtërore./ KultPlus.com