Në përgatitje Ligji më i ashpër për komunikacion në Serbi, 17 risitë kryesore

Serbia pritet të miratojë Ligjin e ri për sigurinë e trafikut rrugor – ligjin më të rreptë ndonjëherë në këtë fushë, dhe të parin plotësisht të ri që nga viti 2009.


Drafti i ligjit sjell rregulla të reja që deri tani nuk kanë ekzistuar: tolerancë zero ndaj alkoolit, dosje digjitale për shoferët, heqjen e patentës provuese, gjoba më të larta për mosvendosjen e rripit të sigurisë dhe rregulla më të rrepta për transportin e fëmijëve – janë vetëm disa prej ndryshimeve që po përgatiten.

Sipas të dhënave të policisë, çdo vit në Serbi regjistrohen rreth 1.5 milion kundërvajtje trafiku, ndërsa vendi ka 3.3 milion shoferë të regjistruar. Kjo do të thotë se gati çdo shofer i dytë ka marrë një dënim. Rreth 10 mijë shoferë kapen çdo vit me më shumë se 1.2 promila alkool në gjak, ndërsa 56 mijë të tjerë vozisin nën ndikimin e alkoolit.

“Për këtë arsye, duhet të miratojmë një ligj të thjeshtë, efikas dhe të zbatueshëm, që jep rezultate konkrete,” ka deklaruar për Blic koloneli Slaviša Lakiqeviq, shef i Drejtorisë së Policisë së Trafikut, i cili po udhëheq punën për hartimin e Draftit të ri të Ligjit për Sigurinë në Komunikacion.

Humbjet ekonomike nga aksidentet arrijnë në 4.5 miliardë euro në vit

Dëmet shoqërore dhe ekonomike që shkaktojnë aksidentet në komunikacion në Serbi vlerësohen në mbi 4.5 miliardë euro në vit, që përbën rreth 8% të BPV-së së vendit.

Ligji aktual për sigurinë e trafikut është miratuar në vitin 2009 dhe deri tani ka pësuar 18 ndryshime, më e fundit në vitin 2023, kur janë ndryshuar 53 nene.

“Një nga ligjet më të ndërlikuara; Drafti gati deri në fund të vitit”

“Ky është një nga ligjet më të ndërlikuara dhe më të gjera, me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore – sidomos nëse kemi parasysh se çdo vit në Serbi humbin jetën rreth 500 persona në aksidente trafiku. Ky është një numër që duhet të na shqetësojë të gjithëve,” tha Lakiqeviq.

Ai shtoi se aktualisht është përfunduar 60% e punës në pjesën që ka të bëjë me rregullat e trafikut, ndërsa pjesët që kanë të bëjnë me sanksionet, automjetet dhe shoferët pritet të përfundojnë më vonë.

“Sipas planit, Drafti i plotë i ligjit duhet të jetë gati deri në fund të këtij viti,” – theksoi ai.

Risitë që pritet të përfshihen në Ligjin e ri për sigurinë në komunikacion:

  1. Heqja e patentës provuese për shoferë të rinj
  2. Konfiskimi i përhershëm i automjeteve
  3. Mbikëqyrje automatike e trafikut
  4. “Bonuse të gjelbra” për shoferët korrekt
  5. Dosje digjitale për çdo shofer
  6. Kontroll teknik mobil për automjetet
  7. Tolerancë zero ndaj alkoolit
  8. Rritje të gjobave për kundërvajtje
  9. Mbrojtje më e madhe për pjesëmarrësit e rrezikuar në trafik
  10. Edukim i detyrueshëm për shoferët e rinj
  11. Kontroll i rregullt shëndetësor për shoferët
  12. Rregulla të veçanta për automjetet me përparësi
  13. Përdorimi i teknologjive të avancuara në automjete
  14. Rregullim ligjor për automjetet autonome
  15. Dispozita të reja për biçiklistët
  16. Kontroll më i rreptë në kalimet hekurudhore
  17. Përgjegjësi më e madhe për shoferët e kamionëve dhe autobusëve

Kur pritet të hyjë në fuqi ligji i ri

Edhe pse ishte planifikuar që Drafti të përfundohej dhe të hynte në procedurë parlamentare gjatë këtij viti, kjo nuk ka ndodhur ende.

Sipas Lakiqeviqit, debati publik për ligjin do të zgjasë 20 deri në 30 ditë, prandaj nuk pritet që ligji të miratohet para marsit 2026.

“E rëndësishme është që ky ligj të mos bëhet me nxitim, por të jetë i zbatueshëm, i qartë dhe me sanksione të përcaktuara mirë,” tha koloneli për fund. /Blic.rs

Related posts

Prezentojet si drejtor i Portit të Durrësit nga Balluku, Liburn Aliu: Jam i nderuar

Tirana ndër 6 qytetet më të shtrenjta në Europë, sipas fuqisë blerëse

Ambasada e Kosovës del me njoftim pas tërmetit në Turqi