Me 76 vota “për” dhe 6 “kundër”, Afrim Gashi u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin, pasi u votua për kryetar Kuvendi, Gashi tha se do të angazhohet që t’u mundësojë deputetëve të shprehen lirshëm, ndërkaq prej tyre kërkoi të respektohen edhe kur nuk pajtohen mes vete.
“Mjaft mirë e kuptoj rolin e secilit deputet dhe kjo më bën të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që me detyrë që e marr mbi vete të mundësoj që secilit deputet të këtij parlamenti t’i garantohet mundësia për t’u shprehur dhe t’i garantohet e drejta e fjalës dhe e drejta e qëndrimit politik. Pas këtyre dy dekadave demokraci, ne të gjithë duhet të dëshmojmë se kemi arritur pjekur të mjaftueshme që ta respektojmë mendimin ndryshe, të dëgjohemi mes vete, edhe kur nuk pajtohemi, këtë ta bëjmë me argumentim dhe duke respektuar dinjitetin e tjetrit”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Gashin e uruan mandatari i ardhshëm Mickoski dhe liderët e koalicionit VLEN
Izet Mexhiti nga VLEN, tha se Gashi është ndër të paktët politikanë të cilët nuk përfliten për afera korruptive.
“Veç tjerash, ne e kemi para vetes edhe biografinë e tij ku mund të shihet se ai ka edhe përgatitje arsimore që është komplementare me detyrën që duhet të ushtrojë si kryetar Kuvendi. Nëse më lejohet të shtoj një vlerësim, mbase edhe personal, Afrim Gashi është një ndër deputetët e paktë, madje edhe ndër politikanët e rrallë që nuk është përmendur në asnjë rrethanë për asnjë temë që ka të bëjë me dukuri të liga, siç është korrupsioni apo abuzimi me pushtetin”, u shpreh Izet Mexhiti, deputet nga VLEN.
Zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit i parapriu debat i ashpër mes Levicës dhe VMRO DPMNE-së. Apasiev tha se po vazhdon shqiptarizimi dhe kosovarizimi i Institucioneve.
“Gjithçka që BDI e ka fituar në mandatin paraprak, tani vetëm do të jetë e mbindërtuar me një platforma kosovare, të cilën e paraqet koalicioni VLEN. Në lidhje me platformën ideologjike të koalicionit VLEN, ja unë pres që deputetët të më bindin, ajo që mund të shihet është se ne tani e zëvendësuam platformën e Tiranës me platformën e Kosovës. Nëse Ali Ahmeti shkonte te Edi Rama të nënshkruajë deklarata, tani do ta kemi Afrim Gashin dhe Bilall Kasamin, te Kurti”, tha Jovana Mojsovska, deputete e partisë E Majta.
Nga VMRO-DPMNE-ja, akuzuan partinë e Apasievit se ata në përbërjen e kaluar kuvendore kanë bashkëpunuar me BDI-në.
“Dëgjom Dimitar, unë isha këtu në përbërjen e kaluar. Këtu me Talatin keni ndarë komplimente. Ti atë e quaje Çegevara, e ai ty të quante Fidel Kastro. Dhe pastaj, keni pirë puro tek ai, me uiski të shtrenjtë. E tani, Ali Ahmeti, në vend të kësaj ane, ka qëndruar këtu dhe ka shkuar në opozitë. Dhe kjo ditë është festë për tërë popullin maqedonas”, u shpreh Mile Lefkov, deputet nga VMRO-DPMNE. /Alsat M