Së paku 104 njerëz janë vrarë në protestat antiqeveritare në Irak, në më pak se një javë, tha Ministria e Brendshme e këtij vendi.
Zëdhënësi Saad Maan tha se 6,107 njerëz, përfshirë mbi 1,200 pjesëtarë të forcave të sigurisë, janë plagosur në përleshjet në Bagdad dhe qytete të tjera.
Ai po ashtu tha se dhjetëra ndërtesa publike janë djegur nga protestuesit.
Protestat spontane kanë nisur më 1 tetor me tubimin e irakianëve të rinj që kërkonin punë, përmirësim të shërbimeve publike dhe fund të korrupsionit.
Ato më pas janë zgjeruar me kërkesën për ndryshimin e qeverisë.
Dhuna e përgjakshme ka shpërthyer pasi protestuesit nuk e kanë respektuar gjendjen e shpallur të shtetrrethimit.
Javën e kaluar, kryeministri i Irakut, Adel Abdel Mahdi, ka thënë se kërkesat e protestuesve janë të drejta, por ka paralajmëruar se nuk ka “zgjidhje magjike” për problemet e Irakut.
Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në të gjithë botën, por shkalla e varfërisë së përgjithshme vlerësohet të jetë mbi 20 për qind.