Macron: A ndryshon jeta e qytetarëve në Serbi me hapjen e kapitullit të ri? JO!

Presidenti francez Emanuel Macron në samitin e NATO-s në Londër përsëriti qëndrimin e tij rreth kundërshtimit të hapjes së negociatave për anëtarsim me cilindo vend kandidat përpara reformës së brendshme rreth procesit negociues për anëtarsim në BE.


Macron shpreson se politika e zgjerimit mund të reformohet para Samitit të BE në Zagreb në maj 2020.

Presidenti francez tha se “BE ka bërë një gabim kolektiv duke deklaruar anëtarësimin si marrëdhënien e vetme të BE-së me Ballkanin Perëndimor”.

Ai gjithashtu vlerësoi se procesi duhet të jetë më politik dhe “i shoqëruar” nga një fazë e partneritetit strategjik në të cilin mund të bëhen investime më të drejtpërdrejta.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me shanset e Parisit që të ndryshojë mendimin dhe të miratojë hapjen e negociatave me Maqedoninë Veriore deri në Mars, Macron tha se jo vetëm Franca ishte kundër hapjes së negociatave, por se ajo pranon përgjegjësi dhe “rolin negativ, nëse është aq më e lehtë për të tjerët”.

Ai përsëriti pikëpamjen se procesi i tanishëm i anëtarësimit është tepër burokratik, konfuz dhe i parëndësishëm për vendet kandidate, duke përmendur Serbinë si një shembull.

“A mendoni se jeta e qytetarëve që jetojnë në Serbi ndryshon sa herë që hapim një kapitull – Unë nuk do të thoja. Kjo është arsyeja pse ne duhet të rimendojmë të gjithë procesin,” tha Makron.

Ai theksoi se ai plotësisht i pranoi të gjitha reformat e zbatuara në Maqedoninë Veriore, përfshirë edhe vendimin më të guximshëm ndonjëherë, atë për të ndryshuar emrin e shtetit.

“Qëllimi përfundimtar i procesit është të lidhim fort Ballkanin Perëndimor me Evropën. Ne e dimë se është një sfidë gjeopolitike, të shmangim ndërhyrjet e vendeve të tjera, të shmangim destabilizimin, i cili është një rrezik për ato vende dhe për Evropën. Kjo lidhje për disa mund të nënkuptojë anëtarësimin në BE, por duhet të jetë e qartë, do të thotë gjithashtu një fazë e partneritetit strategjik dhe investim më i fortë “, tha Makron.

Presidenti francez tha se ështe gabim shumë i madh që marrëdhëniet me Ballkanin të bazohen vetëm me anëtarësimin në BE.

“Shumë thonë, le t’i hapim negociatat tani, e dimë se do të zgjasin më shumë se dhjetë vjet. Por kjo do të thotë që ne po luajmë me një gjeneratë të tërë, nëse themi hapim negociata që nuk do të mbarojnë kurrë.Evropa tashmë e ka bërë këtë me Turqinë dhe ka vazhduar për më shumë se 40 vjet. Kjo është politika e keqe” tha presidenti francez.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif