Luiza Gega shpallet kampione e Evropës në garën e 3000 metrave me pengesa

Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur mbrëmjen e së shtunës kampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, në eventin që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.


Ajo shënoi kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga fillimi e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, e cila ngjitet në majën e Europës.

Gega kurorëzoi kështu me një medalje të artë një sezon të jashtëzakonshëm, ku ka dominuar kudo që ka garuar. Kampione e Europës, në një garë që ajo nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, duke qenë gjithnjë në krye dhe e shkëputur ndjeshëm nga të gjitha rivalet, që duelonin vetëm për podiumin.

Një triumf i madh për Luiza Gegën, trajnerin e saj Taulant Stërmasi dhe atletikën shqiptare.

Pas finishit, lotë gëzimi për atleten shqiptare, që mori flamurin kuqezi në krahë dhe e valëviti në gjithë pistën, duke festuar një triumf të jashtëzakonshëm për të. 33-vjeçarja bëri realitet ëndrrën e saj, duke u ngjitur në majën e podiumit.

Në vendin e dytë, me 4 sekonda vonesë u rendit atletja gjermane Lea Meyer dhe e treta ajo britanike Elizabeth Bird.

Related posts

Oxford shpallet sërish universiteti më i mirë, institucionet evropiane në rënie

E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

Këta janë fituesit e çmimit Nobel në Mjekësi