Rreth 30 liderë të huaj, duke përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin janë mbledhur të hënën në kryeqytetin francez, Paris, për funeralin e ish-presidentit, Jacques Chirac, i cili ka vdekur javën e kaluar në moshën 86-vjeçare.
Chirac është nderuar nga shumë francezë për rolin e tij në Francë por edhe botë, duke kundërshtuar ndërhyrjen në Irak më 2003, andaj një dënim, pasi ka lënë zyrën për keqpërdorim të fondeve publike, ka ndikuar pak në imazhin e tij.
Në ceremoninë e funeralit të tij janë planifikuar nderime ushtarake në qendër të Parisit.
Më vonë gjatë ditës, presidenti francez, Emmanuel Macron do të organizojë një drekë për liderët botërorë në Pallatin Elysee, transmeton rel.
Në mesin e liderëve tjerë përveç Putinit, janë edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kryeministri libanez, Saad al-Hariri dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Chirac do të varroset në Paris, në varrezat Montparnasse, ku gjendet edhe vajza e tij, Laurence, e cila ka vdekur më 2016.