Koreja Veriore teston një sistem raketor “shumë të madh”

Disa persona duke shikuar lansimin e raketës së fundit balistike nga verikoreanët.

Koreja Veriore ka testuar “dy raketa të paidentifikuara” në det, teksa ushtria jugkoreane ka thënë se këto veprime duket se janë testimet e katërta të pajisjeve të reja raketore.


Agjencia shtetërore e lajmeve të Phenianit, KCNA, ka konfirmuar më 29 nëntor testimin e atij që e ka cilësuar sistem raketor “shumë të madh”, dhe ka thënë se synon të ekzaminojë aplimin luftarak të kësaj arme.

Kjo agjenci po ashtu ka thënë se ky testim ka vërtetuar “madhështinë ushtarake dhe teknike dhe qëndrueshmërinë e fortë të sistemit”.

Mes tjerash është përmendur që lideri verikorean, Kim Jong-un ka vëzhguar testimet dhe ka shprehur “kënaqësi të madhe” për përpjekjet.

Koresë Veriore i është ndaluar testimi i raketave balistike sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kryeministri japonez, Shinzo Abe ka thënë se testimi përbën shkeljen e fundit.

“Testimet e vazhdueshme të raketave balistike përbëjnë sfidë serioze jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për gjithë komunitetin ndërkombëtar”, u ka thënë Abe gazetarëve në Tokio.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se Uashingtoni është duke vëzhguar situatën dhe po konsultohet me aleatët rajonalë.

Disa ekspertë kanë thënë se testimet e fundit janë përpjekje të Phenianit për t’i bërë presion Uashingtonit rreth bisedimeve të bllokuara për denuklearizim të Gadishullit Korean.

Koreja Veriore është duke kërkuar që sanksionet financiare ndërkombëtare kundër këtij shteti të largohen derisa Shtetet e Bashkuara kanë insistuar në masa konkrete për denuklearizim para se të merren hapa tjerë. /REL

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif